Gjiknuri: “Qeveria harxhon miliona për reklamat e veta, dhe jo për fushatën e sensibilizimit për aplikime”
Partia Socialiste insiston në propozimin e saj që kartat e identitetit t’u shpërndahen falas shtetasve shqiptarë. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha gjithashtu se është absurde që qeveria harxhon miliona lekë për reklamat qeveritare dhe nga ana tjetër justifikohet se nuk ka para mjaftueshëm për të bërë një fushatë televizive sensibilizimi për të nxitur aplikimin për pajisjen me karta identiteti.
Gjiknuri tha gjithashtu se qeveria ka shkelur çdo afat kontraktor në lidhje me ngritjen e sistemit të aplikimit dhe shpërndarjes së kartave. “Akoma sistemi nuk është shtrirë në të gjithë vendin. Sipas kontratës koncesionare, sistemi i aplikimit duhej të ishte ngritur 4 muaj pas lidhjes se kontratës në të gjithë Shqipërinë, pra më 21 nëntor 2009, ndërsa në dokumentin e tenderit ky afat ka qenë 3 muaj. Prodhimi i parë i kartës së identitetit duhej të ishte bërë 4.75 muaj nga lidhja e kontratës, pra më 20 dhjetor 2008, ndërkohë që ky prodhim u realizua vetëm më 10 shkurt 2009. Në dokumentin e tenderit dhe në ofertë kanë qenë të parashikuara mbi 100 stacione të lëvizshme aplikimi, por deri sot ato nuk janë përdorur duke ndikuar direkt mbi situatën. Kjo është shkelje e hapur e kushteve të tenderit dhe e ligjit të koncesionit. Qeveria harxhon miliona euro për reklama elektorale dhe nuk ka para për fushatën e sensibilizimit për aplikim”, - tha Gjiknuri.
27 Mars 2009