Meta takon të shkarkuarit nga puna për motive politike: “Do t’ju rikthejmë në punë”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me qytetarë të papunë, të shkarkuar për motive politike nga administrata civile. Në këtë takim, ku merrnin pjesë qindra të shkarkuar politikisht nga pozicione të ndryshme të administratës civile, gjatë 4 viteve të qeverisjes “Berisha”, Meta tha se shumë nëpunës civilë janë larguar nga puna, pavarësisht se kanë fituar gjyqet sipas ligjit në fuqi, sepse janë zëvendësuar nga militantët e maxhorancës. Kreu i LSI-së tha se administrata politike është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverisje aktuale dhe një nga shkaqet e dështimit të reformave të mëdha në vend.
Ai fajësoi si përgjegjës për këtë situatë kryeministrin Sali Berisha. Meta tha se qeverisja e ardhshme e LSI-së do të ketë si prioritet zbatimin dhe respektimin e ligjit, i cili bazohet mbi vlerat, meritokracinë dhe mbi qëllimin e shtetit. Meta tha se qeverisja e ardhshme e LSI-së do të rikthejë në punë të gjithë ata nëpunës civilë, profesionistë e ekstremë, të cilët u hoqën nga puna për motive politike. Meta tha se qeverisja e LSI-së do të garantojë një administratë publike eficente, me paga të cilat janë të konkurrueshme me ato të sektorit privat. Kreu i LSI-së tha se nëpunësve të administratës publike do t’u jepen kredi me interesa të ulëta, për t’u zgjidhur problemin e strehimit.
27 Mars 2009