E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Rrëshen: “Shqipëria nuk është pronë e Berishës, por pasuria jonë e përbashkët”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar turin me vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim në qytetin e Rrëshenit. Gjatë takimit në sallën e Pallatit të Kulturës së këtij qyteti, Edi Rama është shprehur se tashmë ka ardhur koha për t’u bashkuar përtej kufijve të partive, përtej interesave të oborreve familjare e klanore që e kanë uzurpuar politikën dhe sot ndjehen të kërcënuara nga fuqia e ndryshimit që po vjen. Kreu i PS-së u është drejtuar të pranishmëve duke u thënë se Shqipëria nuk është një pronë personale e kryeministrit Berisha, por pronë e të gjithë shqiptarëve. “Në rast se Shqipëria është kjo që ne kemi sot, kaq e varfër, kaq e papunë, kaq e pashpresë, kaq e prapambetur, ndërkohë që ne nuk kemi asgjë më pak se të tjerët, për të qenë njësoj si të tjerët, kjo në radhë të parë lidhet me politikën. Duhet të ndryshojmë politikën për të ndryshuar qeverisjen dhe duke ndryshuar qeverisjen ne do të ndryshojmë Shqipërinë, duke e bërë si gjithë Europa. Sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjerë si këto nuk durohen. Sot Shqipëria është më e papunë se 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjerë si këto nuk përballohen. Sot Shqipëria është më e pashkollë se 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjerë si këto nuk justifikohen. Sot Shqipëria është më e dhunuar se 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjerë si këto nuk tolerohen. Sot Shqipëria është më e kapur nga korrupsioni se 4 vjet më parë, madje në një formë që askush nuk e imagjinonte 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjerë nuk falen. Sepse ky është atdheu ynë dhe atdheu ynë nuk është prona e kryeministrit dhe e një oborri ministrash, ku janë përqendruar të gjitha fijet e korrupsionit që thith përditë energji dhe të ardhura nga organizmi i shoqërisë tonë, por është pasuria jonë e përbashkët dhe borxhi që ne u kemi fëmijëve tanë”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

e

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›