Gjinushi: “E majta, fitore të garantuar në zgjedhjet e 28 qershorit”
Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, ka zhvilluar dje një takim me strukturat drejtuese të PSD-së në Njësinë Bashkiake Nr. 9 në kryeqytet. Në këtë takim Gjinushi ka folur rreth situatës aktuale politike, ku ka dënuar dështimet e qeverisjes “Berisha” dhe pasojat sociale që ka sjellë korrupsioni dhe paaftësia e saj. Gjinushi tha se e majta e ka të garantuar fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i PSD-së tha se të gjithë të pakënaqurit ndaj qeverisjes së Berishës duhet t’i bashkohen koalicionit të majtë, pjesë e së cilës është edhe PSD-ja. “Sa më i pakënaqur, sa më i revoltuar të jesh nga kjo gjendje në të cilën e ka futur vendin keqqeverisja e Berishës, aq më aktiv duhet të jesh në zgjedhje për të sjellë ndryshimin e kursit qeverisës, fitoren e grupimit të majtë, pjesë e të cilit është PSD-ja. Ne vlerësojmë që fitorja në qershor është e garantuar, sepse e majta në tërësi përfaqëson tashmë alternativën më të mirë dhe sepse e djathta tashmë është e dështuar në këto 4 vjet; ka dhënë imazhin më të keq qeverisës; sepse rikthimi i Berishës tregoi qartazi që është po ai i ‘92-’97-s; që e fut vendin në të njëjtat kriza, konflikte kushtetuese, konflikte institucionale”, - tha Gjinushi, i cili shtoi se premtimet e bujshme të Berishës katër vjet më parë ishin vetëm demagogji.
27 Mars 2009