Federata Shqiptare e Peshëngritjes: Mbështesim Ademin dhe Ferunajn

Bledar Kuka - Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) riafirmoi sërish dje mbështetjen e saj të patundur për kandidaturën e Esat Ademit për president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Po ashtu, kjo federatë deklaroi mbështjetjen për kandidaturën e Përparim Ferunajt për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it. “FSHP, shkruhej në deklaratën e nxjerrë dje, - i dha në mënyrë unanime votëbesimin e saj kandidatit për President të KOKSH-it zotit Esat Ademi dhe kandidatit për në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it, Prof.As.Dr Përparim Ferunaj”.
FSHF përsëriti akuzat për organizatorët e asamblesë së KOKSH-it që, sipas kësaj federate nuk e pajisën atë dhe kandidatin Ademi me materialet e nevojshme për të ndërtuar dhe zhvilluar një fushatë elektorale normale. “Kemi kërkuar në rrugë zyrtare listën e votuesve, procedurat e votimit si dhe çdo dokument tjetër që mund të na vihej në dispozicion, - vazhdonte deklarata, - ... në mënyrë të qëllimshme na është mohuar kjo e drejtë elementare”.
“... z. Perparim Ferunaj nuk u la as të hynte në punimet e Asamblesë, as si i ftuar, ndërkohë kur kishte brenda njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me Asamblenë”, ishte vazhdimi i akuzës së FSHP-së që deklaruan edhe një herë se janë që sportistët olimpistë të votojnë në asamble dhe vërejtën se gjatë punimeve nuk pati raport financiar, analizë për Pekin 2008, raport të aktiviteteve të KOKSH-it.
Së fundi, FSHP-ja kërkon nga KOKSH-i që të dërgojë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON) një kopje të statutit (nenin 5, 10, 19), kopje të vendimit të Komitetit Ekzekutiv për të votuar vetëm 2 nga 17 olimpistët, kopje të listës së votuesve me mandatin e tyre përbri, kopje të njoftimit për paraqitjen e kandidaturave, kopje të rendit të ditës, kopje të procesverbalit të asamblesë.
Ndër kërkesat ishte të dërgohej në KON, një kopje të vendimit për sigurimin e asamblesë që, sipas FSHP-së, do të bëhej nga firma e djalit të tezes të kandidatit tjetër për president (z. Ylli). FSHP siguroi se do të ndjekë rrugën ligjore për të vënë në vend dinjitetin e anëtarëve të saj, siç shkruhej në deklaratë si dhe shtoi se nuk njeh organet drejtuese të KOKSH-it, duke kërkuar një gjë të tillë dhe nga federatat e tjera.
Në deklaratë, Federata e Peshëngritjes nuk përmendte dhunën fizike që u ushtrua në asamble nga presidenti i saj, z. Ademi, si rrjedhojë as nuk mbante qëndrim dënues ndaj saj.
E Merkure, 10 Dhjetor 2008