E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri-legjendë i basketit, Astrit Greva: Po marrim fund Nga përballjet e famshme evropiane në Kupën e Kampionëve me Partizanin, tek puna me pasion, por në kushte të mjeruara dhe rreziqe financiare tek ekipi privat DHL

BLEDAR KUKA – Në dhjetor të 40 vjetëve më parë, një skuadër e famshme italiane, Oransoda e Kantusë, provoi papritmas forcën e një ekipi krejt të ri shqiptar të quajtur Partizani i Tiranës. Barazimi 68-68 në Shqipëri ishte sensacioni, ndoshta, më i kërkuar i mediave evropiane, shkaktuar nga djemtë e një trajneri gjithashtu të ri të quajtur Astrit Greva, mes të cilëve ishte edhe legjenda e koshit, Agim Fagu.
Sot, pas 4 dhjetëvjeçarësh, ky njeri tashmë 73 vjeç, dridhet nga i ftohti në një palestër të shkatërruar që i përket Partizanit, duke stërvitur 2 orë në ditë ekipe vajzash të disa niveleve. Fama është aty, ndjehet kur ulesh pranë trajnerit të njohur me origjinë dibrane, që nuk përton të ngrejë në krahë tavolinën ku duhet të shkruajë gazetari, madje të sjellë plot edukatë edhe dy ndenjëse. Është 26 herë kampion i vendit.

Palestra ku duhet të fusë kokën Greva është goxha e lartë, por thuajse krejt pa xhama nëpër dritare, me një çati që nuk e mban dot ujin e shiut (kur ai bie, jo çdo ditë), me një parket që ka nisur të dorëzohet nga mosha e shtyrë dhe dy kosha me rrjetën e rrjepur e të çarë. Një relike e kohës jo të artë të komunizmit, e mbijetuar në kohën e zymtë të demokracisë, gjithnjë duke bërë fjalë për fatin e sporteve.

“Nuk kam nostalgji për atë kohë”, thekson Greva, por unë e ndërpres dhe i përmend fjalët e Kreshnik Tartarit, “mosketierit tjetër”, atij të volejbollit. “Për sportin besoj se duhet të keni nostalgji, profesor”. “Patjetër, - kujtohet ai papritmas, - për sportin po”. Sot bota e tij sportive quhet DHL, një ekip privat që financohet nga kompania e njohur postare, një botë po aq e bukur së brendshmi sa edhe Partizani aq shumë i dëgjuar.

Problemi i Grevës është rënia e madhe e sportit në Shqipëri, basketbollit në rastin e tij. “Edhe financimet nga shteti po ndërpriten, - tregon ai, - edhe terrenet po i kthehen pronarëve që mund t’ia ndryshojnë destinacionin, ndërsa është shumë e vështirë, thuajse e pamundur të kesh sponsorizim të qendrueshëm shumëvjeçar nga biznesi privat. Nuk duan të hedhin vazhdimisht lekë në kosh, duket se as ligjet nuk zbatohen”.

“Kam 7-8 vjet që kam krijuar këtë skuadër, - tregon Greva me zërin e tij melodioz dhe tepër të kuptueshëm, - duhet të falënderoj sponsorin DHL që është treguar shumë dashamirës duke dhënë 2.5 milionë lekë të reja në vit”. Por kriza botërore ka goditur në të katër anët dhe DHL-ja ka në plan të shkurtojë shpenzimet me 75 për qind vitin që vjen. I bie që zoti Greva të marrë vetëm 500 mijë lekë për 2009-ën.

“Më duhet të mbyll ekipin e të rriturave, nëse ndodh kjo dhe ta mbaj ndoshta me të rejat”. Kjo sepse ekipi i parë i kushton plot 2 milionë lekë në vit Grevës, ndërsa 5 nivelet e tjera, në mënyrë të kuptueshme, vetëm 500 mijë. Bëhet djalë për skuadrën nënkampione të vendit, që u mund në finalet e plej ofit nga Flamurtari i Vlorës, por edhe për ekipin e të rejave që arriti të dalë kampione e vendit.
Për Grevën, që ka qenë edhe menaxher reklame për klubin e tij, kjo do të ishte një goditje tepër e rëndë. “ǒtë bëjmë, - thotë ai, me zë si të nënshtruar, - nuk jep njeri para. Është e pamundur. Unë ku nuk kam shkuar”. Ndoshta ai nuk do të mundet të stërvitet për shumë kohë në atë palestër, qoftë edhe aq të keqe, ndoshta nuk do të ketë as ekip, por të paktën burrit të vjetër e të fortë i ka mbetur një “fije bari” ku mund të mbahet: shpresa.

E Merkure, 10 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›