Federata nis hetimet për trukim në Luftëtari-Kamza
Drejtuesit e Partizanit, ditën e djeshme kanë dërguar një kërkesë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pretendojnë që ndeshja ndërmjet Luftëtarit dhe Kamzës, të anulohet ose Luftëtarit t’i jepen tri pikët në tavolinë. Motivacioni: Dyshohet se është e trukuar. Ka qenë pikërisht ky takim që penalizoi të kuqtë, duke i nxjerrë ata automatikisht jashtë çdo pretendimi për t’u rikthyer në Kategorinë Superiore. Por dje vetë Federata ka nisur hetimet për këtë sfidë, e cila dyshohet si e trukuar. Nisur nga ankesa e bërë nga “KF Partizani” për ndeshjen Luftëtari-Kamza, Komisioni i Disiplinës ka ngarkuar inspektorët e saj që të nisin hetimet për këtë ndeshje dhe në përfundim të paraqesin relacion pranë këtij komisioni. Pas përfundimit të këtij takimi, e vetmja që rezultoi e dëmtuar ishte pikërisht skuadra kryeqytetase. Kështu që drejtuesit e kuq, duke marrë parasysh gjithçka ka ndodhur në atë 90 minutësh, kanë përgatitur një kërkesë zyrtare, ku pretendojnë që kjo sfidë të mos merret në konsideratë, me arsyen e vetme pasi është e montuar. Kujtojmë që akuzat dhe kundërakuzat nga drejtuesit e të dy klubeve, si Luftëtarit dhe Kamzës, kanë qenë kryefjala e këtyre ditëve. Ata kanë deklaruar se janë ofruar parà për lëshimin e kësaj sfide.