Feguson: Miqësoret s’kanë vlerë
Trajneri i Mançester Junajtid shpreh shqetësimin e tij në lidhje me impenjimet jo zyrtare të kombëtareve, që i cilëson si rëndesë për lojtarët
Menaxheri i Mançester Junajtidit, Sir Aleks Ferguson, e ka quajtur konceptin e miqësoreve ndërkombëtare “një humbje kohe”. Strategu skocez ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të martën njoftoi për turneun veror të Mançester Junajtidit. Por, Ferguson është sigurisht i vetëdijshëm për miqësoren mes Anglisë dhe Ganës të martën mbrëma, që erdhi vetëm 48 orë pas ndeshjes në të cilën Skocia u mposht 2-0 nga Brazili në ‘Emirates Stadium’. Ferguson, ish-selektor i përkohshëm i Skocisë nga 1985-1986 para ardhjes së tij në ‘Old Trafford’, e kupton caktimin e këtyre takimeve. Por, duke pasur parasysh se gjatë zhvillimit të këtyre miqësoreve skuadra e tij humb shumë prej futbollistëve kryesorë, përfshirë sulmuesin kryesor Uejni Runi, i cili megjithatë ishte njëri prej pesë futbollistëve të lënë të lirë nga trajneri Fabio Kapelo të hënën, Ferguson nuk e sheh vlerën e tyre. “Jam në përkrahje të çdo gare. Futbollistët duhet të luajnë në gara të rëndësishme si Kampionati Europian apo Kampionati Botëror”, tha Ferguson për stacionin digjital amerikan Sirus XM. “Por, miqësoret janë humbje kohe, sa më përket mua. Gjithmonë e them këtë. Është e kuptueshme për një trajner. Ju keni futbollistët në një periudhë kur ata do të luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe formën e ekipit. Por, sa herë që ka miqësore, merrni gjashtë ose shtatë ftesa. Nganjëherë është e padobishme për një trajner të mundohet të punojë rreth kësaj për shkak të mungesës së futbollistëve”, theksoi Ferguson. Mançester Junajtid gjatë turneut veror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojë pesë ndeshje, me fillim në Boston më 14 korrik, ndërsa do të përmbyllet me një përballje të rangut të lartë me konkurrentin tjetër për titull nga Liga e Kampionëve, Barcelonën, në Uashington më 30 korrik. Klubi tashmë ka konfirmuar se do të takohet me skuadrën All-Star të Major League Soçer në Red Bull Arena, në Nju Xhersi më 27 korrik.
Fergi kënaqet dhe me një trofe të vetëm
Bosi i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, do të ishte i lumtur me vetëm një trofe këtë sezon. Mançesteri është në garë në tre fronte, megjithatë skocezi thotë se ai do të ishte i kënaqur edhe nëse triumfon vetëm në njërën garë. “Ne duhet të kemi një shans (për tre trofetë), mbase një të vetëm. Ka qenë më vështirë se kurrë më parë. Ne vetëm do të përpiqemi të japim më të mirën nga vetja. Gjithmonë ndjehem kështu, larg lakmisë për të arritur tre trofe. Nëse fitoni një titull të madh në vit, atëherë duhet të jeni të lumtur me këtë. Nëse na ecë mirë të fitojmë vetëm një prej këtyre trofeve të mëdha, do të isha i ngazëllyer”, ka thënë Ferguson.