Trapatoni: Milanit i duhet fitorja që të shkojë te titulli
Nga ana tjetër, trajneri i Irlandës thekson se nëse fiton Interi, atëherë çdo gjë është e përfunduar dhe zikaltërit do të kurorëzohen kampionë
Trajneri i kombëtares së Irlandës, Xhovani Trapatoni, beson se Milani do ta fitojë titullin, por më parë duhet të mposhtë Interin. “Më pëlqen Maks Alegri. Ai ka qenë një befasi e mrekullueshme. Gjatë verës çdokush ishte i bindur se ai do të luajë me pesë ose gjashtë sulmues për ta bërë Berluskonin të lumtur. Në vend të saj, Alegri ka ndryshuar mentalitetin e Milanit. Ai i ka bindur kampionët e tij se gjëja e parë që duhet bërë është ta fitojnë topin dhe pastaj të përpiqen dhe ta dërgojnë atë në rrjetë”, ka thënë ish-trajneri i Milanit dhe Interit. “Një ekip i paqëndrueshëm menjëherë është bërë rival për titull falë dy fjalëve: shpirti i sakrificës. Le ta themi kështu. Këtë herë Milan-Inter duket si një ndeshje e Ligës së Kampionëve. Nëse Milani dëshiron ta fitojë titullin ata duhet ta ndalojnë Interin tani në derbi. Nëse Leonardo e tejkalon Milanin, gara për titull ka mbaruar. Zikaltërit do të bëhen si ata aeroplanët ajrorë amerikan të cilët fitojnë të gjitha dyluftimet. I pakundërshtueshëm”, ka thënë Trapatoni.
Pato i gatshëm për derbin?
Ndërkohë, në kampin milanist janë shtuar shpresat që Aleksandre Pato të zbresë nga fillimi në fushën e lojës. Sulmuesi i Milanit është i vendosur të jetë në fushë për derbin e fundjavës kundër Interit. zikaltërit janë vetëm dy pikë prapa liderit të tabelës dhe mund ta marrin kreun me një fitore ndaj kuqezinjve. “Ende kam ca probleme me gjurin e majtë, por mendoj se dua të jem i gatshëm për derbi. Është shumë e rëndësishme. Viti i kaluar ishte i keq nga aspekti i lëndimeve. Por tani, falë Zotit, gjithçka është në vend”, ka thënë Pato
Për Moratin asgjë nuk vendoset tani
Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka thënë se derbi ndaj Milanos nuk do ta vendosë titullin në Serie A. “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme në të cilën duam të luajmë mirë, por sezoni është i gjatë dhe natyrisht se gara nuk do të merr fund në derbi. Derbi është gjithmonë ndeshje e veçantë. Tifozët e Interit mezi presin ndeshjet ndaj Juventusit, por derbi është derbi dhe na kujton rezultatet mahnitëse nga e kaluara”, theksoi Morati. Më shumë se çdo gjë tjetër Morati do të dëshironte të shihte një përsëritje të shkatërrimit bërë sezonin e kaluar prej 4-0 ndaj Milanit para tifozëve kuqezinj. “Fitoret në derbi janë gjithmonë të mira, por më pëlqen ta kujtoj fitoren prej 4-0 të vitit të kaluar, ku Interi ishte i përkryer”, përfundoi bosi zikaltër.