Fehmida Mirza: Pakistani, e interesuar për marrëdhëniet me Shqipërinë
Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, kryen vizitë zyrtare në Tiranë
“Pakistani është i interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë”.
Një fakt të tillë, e ka pohuar kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, Fehmida Mirza, pas një takimi me kryeparlamentaren shqiptare, Jozefina Topalli.
“Kjo është arsyeja përse unë e kam ndërmarrë këtë vizitë, pikërisht që të forcojmë lidhjet mes dy vendeve tona”, tha ajo.
Duke shtuar se “parlamentarët janë ata që përfaqësojnë në të vërtetë njerëzit dhe se ata duhet të ndikojnë në rritjen e marrëdhënieve mes vendeve të tyre”. “
Duhet të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme të ekonomisë. Për këtë, unë sugjerova edhe krijimin e një komisioni të përbashkët parlamentar”, shtoi Mirza.
Duke folur mbi çështjen e Kosovës, ajo tha se Pakistani do ta shohë me seriozitet atë. “Mendojmë se Shqipëria do të jetë një zë i fortë në Evropë për çështjet e paqes dhe stabilitetit”, përfundoi Mirza.