E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidhja Demokratike e Gruas zgjedh organet e reja drejtuese në Durrës

16-10-2011 / Gazeta 55

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë mbajti dje Kuvendin e degës, Durrës, nga ku u zgjodhën organet drejtuese të saj. Kuvendi i LDG-së, Durrës analizoi dhe proceset e riformatimit të strukturave të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe përfshirjen aktive të saj në politikën vendimmarrëse.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, njëkohësisht deputete e Qarkut të Durrësit deklaroi se LDGSH po rrit dita-ditës anëtarësinë e saj dhe se numri i grave dhe vajzave që po i bashkohet këtij forumi ka arritur në mbi 10 mijë anëtare. Vokshi përgëzoi gjithashtu strukturat e LDG/së , Durrës për shtimin e anëtarësisë me mbi 800 aktiviste, duke shprehur në të njëjtën kohë mirënjohje për tejkalimin e të gjitha sfidave më të cilat është përballur kjo organizatë për të forcuar rolin e saj në shoqëri.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Vokshi theksoi angazhimin e kryeministrit Berisha për nismën dhe miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore dhe miratimin e kuotës 30% të përfaqësimit të gruas në Parlament dhe në organet e qeverisjes vendore. Vokshi tha se LDGSH do të vazhdojë të ndikojë në politikë bërje për të zbatuar plotësisht programin e Qeverisë për Çështjet Gjinore.
Në Kuvendin e LDGSH-së, dega Durrës morën pjesë dhe deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike në Durrës si Eduard Halimi, ministër i Drejtësisë, Igli Cara, njëkohësisht  kryetar i Partisë Demokratike, Durrës, Gazmend Oketa dhe Ferdinand Xhaferaj.
Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara përgëzoi gratë dhe vajzat e LDG-së për aktivizimin dinjitoz në fushatat zgjedhore dhe rolin e tyre përcaktues në promovimin e vlerave konkurruese.
Në fund të punimeve, Kuvendi i LDG/së, Durrës zhvilloi zgjedhjet për kryetaren e degës dhe kryesinë e saj. Për postin e kryetares së LDG-së, Durrës kandiduan Eglantina Bekteshi dhe Violeta Neza. Pas votimit, Kryetare e LDG/së për degën Durrës u zgjodh Eglantina Bekteshi.
Në Kuvendin e LDG/së, dega Durrës morën pjesë 150 delegate. Lidhja Demokratike e Gruas në Durrës numëron mbi 800 anëtare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›