Poni: Të gjithë në regjistrin e adresave

Sistemi elektronik i adresave përfundon brenda këtij viti
500 mijë euro dhe merr zgjidhje çështja e adresave. Tashmë do të ketë një sistem të unifikuar për të ditur ku banon secili prej nesh. Këtë e konfirmoi dje për mediat zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Ai thotë se brenda 9 muajve të parë të 2012 do të harmonizohen të dhënat e gjeneruara nga regjistri elektronik i gjendjes civile me sistemin elektronik të adresave i cili përfundon brenda këtij viti.
“Do kemi mbështetjen e qeverisë dhe të ministrit të Brendshëm, për sa i takon lidhjes së dy regjistrave, regjistrit kombëtar të gjendjes civile dhe regjistrit të adresave në sensin që kush banon ku. Një lloj popullimi të regjistrit të adresave që ne kemi. Besoj që dhe nga pikëpamja e koincidencës me procese të tjera është shumë mirë që të bëhet këtë vit që vjen. Brenda vitit 2012 duhet të themi, ne parashikojmë një eficencë maksimale funksionimi të të gjithë sistemit operacional të adresave. Nga regjistri i adresave në lidhje me njerëzit dhe deri tek vizibiliteti në rrugë dhe në shtëpitë tona”, tha zëvendësministri Poni.
Aktualisht bashkitë më të mëdha të vendit janë në fazën e fundit të informatizimit të sistemit të adresave, një investim që po realizohet me mbështetje të BB dhe BE.
Edhe bashkia e Tiranës po i afrohet ritmit të bashkive të tjera të vendit, pasi aty procesi ishte zvarritur prej disa muajsh.