Sociale shkurt
Tafaj: Cilësia në arsim, prioritet
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori dje pjesë në analizën vjetore të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit, ku deklaroi se cilësia në arsim është prioriteti kryesor i ministrisë dhe qeverisë shqiptare.
“Instituti juaj, - tha në fjalën e tij ministri Tafaj, - është instituti i zhvillimit cilësor të shkollës dhe arsimit tonë. Rritja e cilësisë së shkollimit është sfida afatgjatë për qeverinë aktuale dhe politikëbërjen në arsim dhe cilësia është së pari, mësuesi i aftë dhe profesional, i përfshirë në sistemin arsimor dhe në këtë qasje na motivon fakti që edhe pse jemi një vend i varfër, investimi që familja shqiptare dhe shoqëria bën në arsim, është mjaft i konsiderueshëm. Dhe për rritjen e cilësisë po merren të gjitha masat që nga konsolidimi i një kurrikule sa më kualitative në shërbim të mësuesisë dhe degëve që përgatitin mësues nëpër universitetet tona dhe deri tek platformat e veçanta për mastera dhe DND në shkencat e edukimit”.
Sipas tij, mësuesit e sotëm duhet ta ndiejnë ndihmesën e institucioneve të tilla si IKT, APRIAL, AVA etj., pasi në plan të parë del aftësimi i tyre i vazhdueshëm në teknologjinë e informacionit dhe përshtatshmëri me kurrikulën e re pasi çdo mësues në këtë kuptim, ka nevojë që t’i ndjekë hap pas hapi ato në zhvillimin e shkollës.
Ministri porositi pjesëtarët e institutit të jenë aktivë dhe kontribuues në reformën e altertekstit. Kjo reformë kërkon mbështetje në verifikimin e cilësisë së teksteve shkollore përpara se ata të hidhen në treg.
Një nga prioritetet në fjalën e ministrit ishte dhe qëndrimi që duhet të mbahet ndaj arsimit privat në vend.
Deri tani ai ka qenë i mbikëqyrur prej strukturave të shtetit, ndërsa duhet që në të ardhmen edhe të mbështetet në përsosjen dhe zhvillimin e tij në të tërë komponentët përbërës për rritjen e cilësisë.
Një tjetër prioritet që duhet të synojë edhe punën e këtij institucioni, është edhe ai i përcjelljes të sa më shumë informacioneve që prodhohen aktualisht për nxënësin, shkollën dhe komunitetin.
“Duhet të punojmë të gjithë së bashku, - tha në fund të fjalës së tij zoti Tafaj, - që reformat e thella të arsimit të jenë pjesë e informimit të publikut të interesuar, që nga kurrikula e re e gjimnazit dhe gjithçka që me shumicë zhvillohet prej politikëbërjes dhe gjen akses tek shkollat dhe mësuesit”.
Kosovë, bie numri i të prekurve nga A/H1N1
Në Kosovë është shënuar rënie e numrit të pacientëve të infektuar me virusin A/H1N1, njohur si gripi i derrave. Por, zyrtarët e institucioneve thonë se pritet një valë tjetër eventuale e këtij gripi në muajt e ardhshëm.
Gjatë tri javëve të fundit, në Kosovë është shënuar rënie progresive e rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me virusin pandemik A/H1N1, i njohur si gripi i derrave. Kështu thonë zyrtarët e institucioneve shëndetësore dhe atyre qeveritare, përgjegjëse për shëndetësinë në Kosovë.
Por, njëherësh, ata vlerësojnë se ekziston rreziku nga një valë e re e paraqitjes së kësaj pandemie dhe thonë se institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshme të përballen me të.
Dr. Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, thotë se numri i pacientëve që janë duke u kuruar aktualisht në këtë klinikë nga gripi i derrave, është i vogël.
“Në tri javët e fundit, evidentojmë një rënie progresive të pacientëve që kërkojnë ndihmë te ne. Aktualisht, në rang të Kosovës, janë 6 pacientë të spitalizuar, të cilët gjendjen klinike, stabile, e kanë të dyshimtë për infeksionin me influencën A/H1N1 dhe dy të tjerë, të cilët janë në gjendje të rëndë klinike. Bëhet fjalë për dy shtatzëna”, - sqaron dr. Dreshaj.
Ndryshe, institucionet e shëndetit publik, deri më tash, janë pajisur me 5 mijë vaksina kundër gripit të derrave, të cilat janë donacion nga Turqia. Por, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se numri i të vaksinuarve është i vogël. Zëdhënësi Faik Hoti shpjegon arsyet:
“Për shkak të një antifushate, të themi ashtu, kundër vaksinës, në nivele të ndryshme, numri i atyre që janë vaksinuar me vaksinën kundër gripit të derrit, që është donacion i Republikës së Turqisë, është i vogël”.
“Ka mbi 200 vaksina që janë përdorur deri më tash. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike është një numër shumë i vogël i vaksinave, sepse ato janë shpërndarë nëpër qendrat rajonale shëndetësore”, - thotë Hoti.
Edhe dr. Dreshaj konsideron se një fazë tjetër eventuale e gripit të derrave në Kosovë është tejet e mundshme gjatë muajve në vijim.
Berisha: Mbështetje biznesit social në Shqipëri
Kryeministri Berisha deklaroi dje mbështetjen e fortë të qeverisë shqiptare ndaj biznesit social, gjatë pjesëmarrjes së tij në workshopin “Lëvizja gjithëpërfshirëse e biznesit social në Shqipëri”, iniciuar nga qeveria shqiptare dhe Grameen Creative Lab.
Kryeministri Berisha vlerësoi inicimin e lëvizjes gjithëpërfshirëse të biznesit social në Shqipëri dhe falënderoi Grameen Creative Lab dhe nobelistin e njohur, profesor Mohammad Yunus, për pranimin e ftesës për të shtrirë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Duke u ndalur në luftën e madhe kundër varfërisë në vend, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ka një rekord të shkëlqyer në luftën kundër varfërisë dhe sipas statistikave të fundit, varfëria është rreth 12 për qind, ndërkohë që varfëria ekstreme ka pasur një rënie edhe më të madhe. “Por, - nënvizoi Kryeministri, - sërish këto shifra janë realisht shqetësuese dhe harta e varfërisë në këtë vend zvogëlohet me shumë vështirësi”. Në këtë drejtim, Kryeministri shprehu besimin se bashkëpunimi me Grameen Creative Lab dhe zhvillimi i biznesit social në Shqipëri do të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e varfërisë.
Kryeministri iu referua edhe takimit të tij, shtatorin e kaluar në Nju Jork, me profesor Mohammad Yunus, nobelistin e famshëm. “Kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga takimi me profesor Mohammad Yunus dhe i jam shumë mirënjohës që pranoi ftesën”, - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e madh të iniciativës së biznesit social në Shqipëri.
Ndërsa themeluesi i Grameen Creative Lab, z. Hans, vlerësoi ndryshimet e mëdha në Shqipëri. “Shqipëria ka bërë në këto vitet e fundit një punë vërtetë shumë të mirë në drejtim të luftës kundër varfërisë dhe këtë e kanë bërë drejtuesit e saj, qytetarët e saj. Qeveria ka bërë çdo përpjekje të mundshme që të luftojë varfërinë dhe të mundësojë daljen e familjeve shqiptare prej saj”, - u shpreh dr. Hans. Ai theksoi më tej se kontributi i tyre në Shqipëri do të konsistojë në ndryshimin e cilësisë së jetës në familjet shqiptare, duke u ofruar mundësi për lehtësimin e jetesën së tyre, apo bizneseve sociale.
Grameen Creative Lab është një iniciativë në fushën e biznesit social, e frymëzuar nga zoti Mohammad Yunus, një personalitet i njohur në botën e financës, i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit, promotor kryesor i biznesit social dhe luftëtar i madh i një bote pa varfëri. Ai ka themeluar edhe Grameen Bank, e cila në këto vite ka ndihmuar dhe përkrahur me mikrokredi me mijëra e mijëra njerëz në mbarë botën. Ky fondacion në Shqipëri do të ketë një veprimtari të ngjeshur, e cila do të konsistojë në mikrokreditë në zonat e varfra, për familjet e varfra, për bizneset sociale në këto zona etj.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin themeluesi i Grameen Creative Lab Hans Reitz, përfaqësues të tjerë të kësaj nisme, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri, të institucioneve ekonomike të vendit etj.