E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: “Bisedime me serbët për vendojen e EULEX-it në Veri”



I dërguari i BE- së në Kosovë Piter Feith i cili ka shërbyer si diplomat edhe në Bosnje, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni është shprehur se në Kosovë është një situatë post-konfliktuoze dhe më e qëndrueshme se në vendet e tjera ku ai ka qenë aktiv. Feith sqaron se detyra e tij në Prishtinë është për të ndihmuar dhe këshilluar qeverinë e Kosovës. Situata në Kosovë sipas tij është prioritet dhe sfidë për BE-në. “Është faza përfundimtare e një konflikti historik të shkëputjes nga ish-Jugosllavia”– shprehet Feith. I pyetur lidhur me situatën në veri të Mitrovicës Feith thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare vazhdon të punojë në Jug të Mitrovicës dhe se për shkaqe sigurie Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e ka hapur zyrën e saj në veri të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe. Feith u shpreh se po bisedohet me serbët lokalë dhe me Beogradin për tu vendosur edhe në veri. “Ne ndjejmë se kohërat po ndryshojnë pas zgjedhjeve të Beogradit, se personalitete të reja gradualisht mund të marrin përgjegjësi dhe se disponimi i qytetarëve po shkon drejt pranimit më të madh të misionit të BE-së në Kosovë”. Në vazhdim të vizitës së tij Piter Feith shtoi se Bashkimi Europian nuk do të dëshironte që veriu i Kosovës të shndërrohet në një konfikt të ngrirë, sepse kjo siç tha ai “ kjo nuk do të ndihmonte as vet serbët. “Një konfikt i ngrirë do të ishte shumë i padobishëm dhe nuk do t’i ndihmonte njerëzve. Mendoj se qeveria e Beogradit e ka kuptuar këtë. Ne e shohim këtë si interes të përbashkët që të mos kemi një pjesë të territorit që do të mbetej konflikt i ngrirë, ku do të kishte mungesë të rendit dhe ligjit dhe ku ne nuk do të kishim qasje për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë”,- tha Feith.

Maqedoni, 5 deputetë të PDSH-së bashkohen me qeverinë e re

Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Selmani ëhstë shkëputur nga partia për të krijuar një parti të re e cila do të quhet Partia e Re Demokratike Shqiptare. Burime të brendshme nga PDSH-ja bënë të ditur se partisë së re do t’i shtohen 5 deputetë që aktualisht bëjnë pjesë në PDSH dhe që njihen si mbështetës të Selmanit. Të njëjtat burime theksuan se në gjirin e partisë së re do të bëjne pjesë dhe anëtarësia që është larguar nga PDSH-ja si dhe deputetë të BDI-së të pakënaqur nën drejtimin e Ali Ahmetit. Ndërkaq, Imer Selmani është takuar me diplomatë të ambasadës amerikane dhe BE-së në Shkup më të cilët ka biseduar për krijimin e subjektit të ri. Selmani njihet si një ndër deputetët e PDSH-së që gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve, madje dhe më shumë së Menduh Thaci, kreu aktual i PDSH-së.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›