E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith: Mendjet tona të jenë me ata njerëz që kanë humbur

Prishtinë- Përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith ka deklaruar sot se “është e drejtë që sot mendjet tona të jenë me të gjithë ata njerëz në Kosovë që kanë humbur anëtarët e familjeve të tyre. Dhimbja nga mungesa e qartësisë që ata po vazhdojnë ta vuajnë është një barrë e rëndë”. Në Ditën e Personave të Pagjetur në Kosovë, Feith ka thënë se këta persona kanë çdo të drejtë të dinë për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre – ngase, sipas tij, ky është parim themelor i dinjitetit njerëzor.

“Qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi të rëndësishme që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar dhe siguruar informata lidhur me identitetin, vendndodhjen dhe fatin e personave të pagjetur që u përkasin të gjitha komuniteteve. ICO-ja do ta përkrahë atë në këtë punë”, ka thënë Feith.

Ai po ashtu ka shtuar se pret pjesëmarrjen domethënëse dhe efektive të Qeverisë së Kosovës, së bashku me Beogradin në Grupin Punues për Personat e Pagjetur i cili kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. “Kjo është me rëndësi jetike për pajtimin rajonal”, ka vlerësuar ai. /telegrafi/ startn

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›