E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith: Në fokus, krijimi i komunës së Mitrovicës Veriore

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar se krijimi i komunës së Mitrovicës Veriore është ende detyrë e mbetur në procesin e decentralizimit. Feith ka thënë se ky nuk është proces i lehtë, por u shpreh se ka edhe progres.
Përfaqësuesi ndërkombëtar tha se plani i decentralizimit për pjesën veriore të Kosovës bazohet në ofrimin e vlerave evropiane për qytetarët e asaj pjese.
 

“Investimi në projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe ndihmojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët, janë metodat më të mira dhe më të buta për të arritur tek qytetarët e Mitrovicës Veriore”.
 

Feith mori pjesë në prezantimin e raportit për decentralizimin të përgatitur nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale dhe Fondacioni Frederik Ebert Shtiftung. Në raport thuhet se arritjet e decentralizimit nuk janë ende të kompletuara, ndersa komuna e Mitrovicës veriore ende nuk është themeluar si komunë legjitime nën mbikëqyrjen e autoriteteve të Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodal Petrovic, tha se komunat e reja janë duke funksionuar me sukses, duke theksuar edhe sfidat për krijimin e komunës në veri të Mitrovicës.
 

“Ministria e administrimit të pushtetit lokal, do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e ekipit përgatitor për Mitrovicën e veriut, që të përfundojë me sukses themelimi i komunës së re. Përpjekjet e shtuara do të bëhen në harmonizimin e ligjit për vetëqeverisje lokale”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›