Thaçi: " Evropa, rruga e vetme për Kosovën"
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se e ardhmja evropiane është rruga e vetme e vendit dhe se institucionet e Kosovës do mbeten të përkushtuara në proceset e integrimeve Evropiane.
Pas kthimit nga Brukseli, ku është takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, kryeministri Thaçi tha se në Bruksel tashmë ka pajtueshmëri të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit.
Kryeministri Thaçi tha se normalizimi i marrëdhënieve në rajon është parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Javën e kaluar, Kosova e Serbia arritën marrëveshjet e para për çështje praktike të interesit të ndërsjellë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.