E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith refuzon Haradinajn: Nuk ka zgjedhje këtë vit

 

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith e ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për rishqyrtimin e vendimit të Presidentit të Kosovës, sipas të cilit, zgjedhjet parlamentare nuk do të mbahen sivjet, por në vitin 2011. Ndërsa Pieter Feith nuk është prononcuar për media, Ramush Haradinaj tha se të gjitha zhvillimet politike çojnë nga krijimi i një klime që do të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit. “Nuk ka ndonjë risi. Mbetet vendimi. Unë dhashë disa argumente dhe shpjegime se ky vendim për t’u shtyrë zgjedhjet është i dëmshëm për Kosovën, për proceset në Kosovë dhe i cili do t’i thellojë kushtet negative që po funksionojnë në Kosovë, në qeverisje, dhe që me këtë vendim i kanë bërë dëm Kosovës”, tha Haradinaj. Takimi mes Haradinajt dhe Feithit u mbajt në prag të mbledhjes së radhës së Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, i cili përfshin shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Grupi do të mblidhet të premten në Vjenë, nën drejtimin e Pieter Feithit dhe ka për detyrë ta mbikëqyrë performancën e institucioneve të Kosovës në zbatimin e planit të Ahtisaarit. Ndërkohë, qeveria e Kosovës pret që Grupi Ndërkombëtar ta njohë edhe një herë përparimin e arritur në Kosovë këto tre muajt e fundit. Sa për zgjedhjet zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi e konsideron një temë të mbyllur që nuk mund të rikthehet sërish, pavarësisht insistimeve që shprehen nga opozita. “Sa për zgjedhjet, besoj se kjo është temë e tejkaluar tashmë. Presidenti i vendit, duke u bazuar në Kushtetutë, e ka thënë mendimin dhe vendimin e tij, kështu që mendojmë se është temë e tejkaluar dhe nuk besojmë se ka nevojë që ndokush të merret me këtë temë më”, thotë Krasniqi duke kujtuar vendimin e Presidentit Sejdiu se, këtë vit në do të mbahen vetëm zgjedhje lokale dhe jo të përgjithshme siç pretendon opozita. Ndërkohë, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, do të zhvillojnë sot takime të rëndësishme në kryeqytetin amerikan, Uashington, ku pritet të takohen me zv/presidentin Xhozef Bajden, me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, me anëtarët e Kongresit, nga i ashtuquajturi Këshill për Çështje Shqiptare, në Dhomën e Përfaqësuesve. Takimi me dy prej tre udhëheqësve më të lartë të administratës amerikane me udhëheqësit e Kosovës është vlerësuar në Uashington si një mbështetje e fuqishme për shtetin e ri të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›