Rrëzohet avioni i “Turkish Airlines”, 9 viktima
Nëntë persona kanë humbur jetën dhe të paktën tetëdhjetë të tjerë janë plagosur nga rrëzimi i avionit të “Turkish Airlines”, i cili është ndarë në tri pjesë kur është rrëzuar. Sipas autoriteteve holandeze rrëzimi i avionit të agjencisë “Turkish Airlines” ndodhi në aeroportin Schipol në Amsterdam. Avioni po udhëtonte nga Stambolli dhe ra ndërsa po përpiqej të ulej në pistën e aeroportit. Edhe pse avioni u nda në tre pjesë, nuk mori flakë. Në avion kishte njëqind e tridhjetë e katër pasagjerë dhe ekuipazhi. Ekspertët po hetojnë tani shkakun e aksidentit. Pamjet e para filmike nga vendi i rrëzimit tregonin ekipet e emergjencës, që u jepnin ndihmën mjekësore pasagjerëve. Shifrat e fundit flasin për 84 të plagosur gjashtë nga të cilët në gjendje të rëndë. Avioni ishte i tipit “Boeing 737” dhe u përplas në një fushë me baltë, të paktën 500 metra më parë nga pista e zakonshme. Shkaku i aksidentit nuk është përcaktuar ende, por televizionet turke thanë se avionit mund t’i kishte mbaruar karburanti. Autoritetet turke thanë se numri i vogël i viktimave ishte një mrekulli. Katër orë pas përplasjes, punonjësit e emergjencës ende po kërkonin në rrënoja. Parashikuesit e motit thanë se avioni, që u nis sot në mëngjes nga Stambolli, po përpiqej të ulej në një kohë me shi dhe mjegull.