E Shtunë, 31 Tetor 2026

Felaj: “Prifti ka emëruar në krye të OST-së kushëririn e ministrit Vasili”



Partia Socialiste vazhdon të shtojë akuzat që rëndojnë mbi ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Deputetja socialiste, Ermonela Felaj ka publikuar fakte të reja, të cilat dëshmojnë përfshirjen në afera korruptive të ministrit Prifti. Sipas PS-së, ministri Prifti ka emëruar kushëririn e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili quhet Rasim Hamzaraj në postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, për të cilin pati deklaruar se i kishte shitur aksionet e kompanisë. Emërimi i tij është bërë një javë pas emërimit të Dritan Priftit në postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës.
Deklarata
“Dritan Prifti merr detyrën e tij si ministër i Ekonomisë në 17 shtator 2009 dhe vetëm një javë më pas, në 23 shtator 2009, ai emëron kushëririn e ministrit Vasili, biznesmenin Rasim Hamzaraj anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të OST-së. Nuk duhet harruar se OST-ja është një monopol i qeverisë, i drejtuar nga ministri Prifti”, - deklaroi Felaj, duke shtuar se vetëm tri muaj më vonë, më 31 dhjetor Prifti i shet kushëririt të ministrit Vasili, Rasim Hamzarajit, aksionet në vlerën 2.5 miliard lekë. Sipas deputetes së PS-së, kjo është shkelje e hapur e ligjit për konfliktin e interesit. “Prifti i Saliut dhe Dritani i Ilirit nuk na thotë dot si i bëri 1.8 milionë euro. Jemi të sigurtë që s'na thotë dot gjë edhe për këtë anëtar bordi të kompanisë shtetërore të transmetimit të energjisë, të cilin e ka pagator, ortak në biznes, bashkëpunëtor në ministri si edhe ndërlidhës partie mes tenderave të shëndetësisë e aferave të energjisë”, - u shpreh Felaj, duke shtuar se në llumin e aferave të korruptive të Priftit kryeministri, zëvendësi i tij dhe prokuroria heshtin.
Në emër të PS-së, Felaj ka shtruar disa pyetje në drejtim të ministrit Prifti. “Ç'do njeriu që të dha 1.8 milionë euro në bordin e OST-së? Për çfarë arsyesh, ky njeri është në këtë bord? Ç'lidhje tjetër në dëm të shtetit e në cenim të ligjit ke ti zoti Prifti me këtë individ? Ne e dimë që Prifti s'ka përgjigje as për 1.8 milionë eurot, as për tatimin e papaguar të fitimit, as për kushëririn e Petrit Vasilit që tenderat i merr tek shëndetësia dhe lekët i shton tek ekonomia, sepse të dyja i ka partia, LSI-ja. Përgjigja në thelb është e thjeshtë: Më 28 qershor Sali Berisha vodhi votat për të grabitur më tej Shqipërinë, kurse Ilir Meta trafikoi votat për të grabitur bashkë me Saliun. Prifti thjesht bën detyrën, duke i shërbyer edhe Saliut edhe Ilirit dhe duke ndarë edhe pjesën e tij si vetshpërblim për shërbimin ndaj dy shefave”, - shprehet Felaj.
Akuzat
Partia Socialiste ka lëshuar akuza ndaj ministrit Prifti edhe ditë më parë. Përpos 1.8 milionë eurove të Priftit të fituara brenda një viti, PS-ja ka treguar pasuri të tjera të padeklaruara të ministrit Prifti, një vilë që kushton 1 milion euro dhe një shtëpi prej 400 metra katrorësh. Në këto kushte, PS-ja i ka bërë thirrje prokurorisë se duhet të nisë me urgjencë hetimet për mënyrën e fitimit të milionave të ministrit.

Bashkia e Tiranës nis padinë penale ndaj shpifjeve të ministrit Prifti

Bashkia e Tiranës do të kallëzojë penalisht ministrin e Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti. Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florian Serjani bëri të ditur dje para Prokurorisë së Rrethit të Tiranës se institucioni që ai përfaqëson ka përgatitur një listë me kallëzime penale, ku theksoi se listës së padive të bëra në adresë të përfaqësuesve të maxhorancës i shtohet edhe padia për shpifje ndaj Priftit. “Në listën e gjatë të kallëzimeve edhe ministri Prifti. "Politika e vjetër e përbaltjes nuk mund të sundojë mbi ligjin. Qytetarët duhet të dinë të vërtetën për çdo funksionar të shtetit"”, - tha Serjani.
Në emër të bashkisë, ai kërkoi nga prokuroria hetim për kallëzimet penale ndaj kryeministrit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Gert Bogdanit, Ferdinant Ponit, Florion Mimës, Lajla Përnaskës, Sait Dollapit, Petushit, Hoxhallit dhe Priftit.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›