Meta del në mbrojtje të Priftit: “Rama është xheloz”
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta i sapo kthyer nga Afganistani ku mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë, ka komentuar dje akuzat e PS-së ndaj ministrit të ekonomisë, njëkohësisht deputetit të LSI-së, Dritan Prifti. Gjatë një konference për shtyp Meta është shprehur se konflikti midis Ramës dhe Priftit është vjetër për shkak se lideri i PS-së gjithmonë ka qenë xheloz ndaj tij. Më tej Meta i cilësoi akuzat e PS-së banale dhe denigruese. Ai gjithashtu sqaroi votat e LSI-së pro dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë ndërsa bëri thirrje për nisjen sa më parë të punës për reformën zgjedhore.
Akuzat
“Mund t’ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e z. Rama ndaj z. Prifti janë të vjetra, nuk janë të reja. Së dyti, sulmet e Partisë Socialiste janë vërtet shumë banale dhe shumë denigruese. Ju të gjithë e dini se të gjithë ata që janë në pozita të larta shtetërore dhe që marrin detyra të rëndësishme shtetërore, duhet të tregojnë kujdes për sa i takon konfliktit të interesit. Besoj se z. Prifti e ka sqaruar vetë, sikurse edhe e ka thënë që është diplomuar në Harvard dhe nuk ka nevojë për avokat, që në detyrim të zgjidhjes së çdo konflikti interesi është përpjekur për t’i shitur aksionet e tij, të cilat kanë qenë të deklaruara përpara se ai të merrte detyrën e ministrit, që kur ka qenë në opozitë. Mendoj se ky është një veprim për t’u përshëndetur, jo për t`u kritikuar nga ana e Partisë Socialiste”, është shprehur Meta. Ai gjithashtu e cilësoi absurditet akuzën e PS-së, sipas të cilës ortaku që ka marrë këto aksione është kushëriri i Petrit Vasilit, ministrit të Shëndetësisë. “Kjo është thjesht një përpjekje diabolike për të krijuar një klimë denigruese dhe të pandershme, pasi me sa u interesova edhe vetë, ky person merret me këtë aktivitet farmaceutik prej 15 vitesh dhe njëkohësisht në këtë kompani që është një ndër më të njohurat në vend, ai është një ndër tre aksionarët, duke marrë pjesë në këtë lloj aktiviteti shumë kohë përpara se z. Vasili të bëhej Ministër i Shëndetësisë”, është shprehur kreu i LSI-së.
Dekretet
Përsa i përket votimit pro dekreteve të presidentit, Meta tha se LSI-ja nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar me PD-në. “Ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike, e cila është publike, dhe ne i kemi qëndruar dhe do t’i qëndrojmë marrëveshjes deri në fund, për të gjitha çështjet që të dy palët kanë rënë dakord të punojnë së bashku. Lidhur me votimin për dekretet e presidentit e kam theksuar edhe më parë, që ne nuk votojmë pro Partisë Demokratike, apo kundër Partisë Demokratike. Ne kemi një politikë tonën, e cila është një politikë që në përgjithësi i mbështet dekretet e presidentit sepse mendojmë se si institucioni përgjegjës për të promovuar kandidatura të caktuara në nivelet më të larta të gjyqësorit, ka bërë verifikimet e duhura dhe kjo është një politikë e hapur. Në rast se do të kishin qenë deputetët e Partisë Socialiste në Parlament, aritmetika është e thjeshtë: gjyqtarët do të ishin zgjedhur”, është shprehur Meta. Ndërsa përsa i përket ligjit për SHISH-in, ai tha se LSI-ja do të votojë propozimet e NATO-s duke qenë se Shqipëria është një vend anëtar i Aleancës. “Unë e kam thënë me kohë se ligji ka nevojë për ripërtëritje në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me shumë aspekte të tjera, dhe kjo nuk është një gjë e re. Njëkohësisht, të gjithë e dinë se si një vend që tashmë është anëtar i NATO-s, Shqipëria ka një detyrim edhe për sa i përket rishikimit të ligjeve që kanë të bëjnë me forcat e armatosura, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, të konsultohet me NATO-n në mënyrë që të përmbushë detyrimet e saj dhe të arrijë standardet e kërkuara, të cilat burojnë tashmë nga anëtarësimi”, - është shprehur zëvendëskryeministri. Përsa i pret krizës politike ai bëri të ditur se maxhoranca e ka shprehur vullnetin e saj pro zgjidhjes së kësaj krize. Meta gjithashtu bëri thirrje për fillimin sa më parë të punës për reformën zgjedhore. “Shpresojmë që kjo situatë e pakuptimtë të kalohet sa më shpjet dhe të ecet përpara. Ndërkohë, gjej rastin edhe një herë tjetër të bëj thirrje që të fillohet puna për reformën zgjedhore, sepse transparenca garantohet me ligj”, është shprehur Meta.
Beqiri: “Rama të kryejë analizat për lëndët narkotike”
Përfaqësuesi i Kryesisë së LSI-së, njëkohësisht zëvendësministër i Ekonomisë, Leonard Beqiri ka reaguar dje në lidhje me akuzat e PS-së kundrejt ministrit Dritan Prifti. Në një deklaratë për mediat Beqiri u shpreh se deklaratat e përfaqësuesve të PS-së nuk janë gjë tjetër veçse shpifje. “Dëshiroj edhe njëherë t’i kthej përgjigje politikës së zotit Edi Rama ‘shpif, shpif se diçka do të mbetet’, tashmë e kuptuar nga të gjitha shqiptarët. Shpifjet vazhdojnë edhe sot nga zëri i zotit Rama. Ministri, Dritan Prifti i ka kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të hetojë urgjent pasurinë e tij dhe të informojë publikun në lidhje me të vërtetën. Gjithashtu, i ka kërkuar atij që të bëjë analizat që vërtetojnë nëse ai ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo jo. I kërkojmë sërish zotit Edi Rama që të kryejë këto analiza, në një klinikë të zgjedhur nga vetë ai”, - është shprehur Beqiri.
22 Korrik 2010