Felipe Masa i pakenaqur me Ferrarin
Provat nuk kanë qenë shumë pozitive dhe piloti brazilian nuk duket shumë i kënaqur. Felipe Masa thotë se makina Ferrari duhet të punojë shumë për të qenë gati për fillimin e sezonit të ri, fillim që është tani në mars, pra koha nuk pret. “Kjo na tregon se që nga fillimi i provave, nuk kemi krijuar ende një pamje të qartë për kundërshtarët. Por, nëse më pyesni për makinën time Ferrari, unë mund t’iu them se nuk jam 100 për qind i kënaqur sepse dua që të jemi pak më shumë konkurrues. Megjithatë, makina ka mundësi të mëdha përmirësimi dhe ne po punojmë për këtë”, tha ai.Braziliani nuk është në gjendje të thotë se nga cili rival “Ferrari” duhet të ruhet më shumë. “Nëse duhet të japim një gjykim, do të ishte e vështirë të drejtoje gishtin tek njëri rival. Është e pamundur ta thuash këtë ende pa filluar kampionati. Duket se ka shumë skuadra që do të konkurrojnë dhe madje pas një jave ne do të kemi mundësi të gjykojmë më mirë”, deklaroi Masa.Formula 1 fillon më 18 mars me garën e Australisë në Melburn dhe duket se skuadrat kryesore do të jenë ato të përhershmet, pra Red Bulli, Meklaren Mercedesi, Ferrari dhe ndoshta Mercedesi.