E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç: Hera e parë që ndjeva frikë

Të martën Arsenali ka përhapur panik te Milani dhe si rrallëherë, edhe te një gjigand si Zlatan Ibrahimoviç. Këtë fakt suedezi e ka pranuar vetë dhe frika brenda tij në 90 minutat në “Emirates” ka qenë kaq e madhe, sa që ka shtyrë numrin 11 të sulmojë haptazi shokët e tij të skuadrës: “Nëse luan në një klub të madh si Milani, poshtërime të tilla nuk duhet të ndodhin. Ka shumë mënyra për të humbur një ndeshje, por është e papranueshme të mundesh në këtë mënyrë nga një skuadër si Arsenali, e cila edhe pse kishte shumë mungesa për pak na skualifikoi, edhe duke pasur një avantazh prej 4 golash që në takimin e parë. Ne jemi Milani dhe duhet të jemi më të fortë e më stabël në paraqitjet tona. Frikë? Mbase kjo ka qenë e vetmja herë në jetën time që pata”. Përveçse me shokët e skuadrës, Ibrahimoviç ka qenë i pakënaqur edhe nga paraqitja personale dhe nuk nguron të bëjë autokritikë: “Jemi përpjekur të qetësojmë njëri-tjetrin në përfundim të pjesës së parë, por nuk ishte e thjeshtë. Gabimet tona kanë qenë banale, për shkak se ishim të sigurt për kualifikimin pas atij avantazhi prej 4 golash në ndeshjen e parë. Nuk jemi treguar të kujdesshëm për asnjë moment dhe nuk kemi dalë në lojën tonë. Ndërsa unë për gjatë gjithë kohës që kemi luajtur me tre sulmues jam ndjerë sikur të isha jashtë loje. Kjo skemë nuk bën për mua, por as për Milanin, ndaj nga kjo humbje mund të mësojmë shumë gjëra”. Ibra nuk e fsheh faktin se kishte shumë frikë se Arsenali do arrinte të përmbyste rezultatin e “San Siros”: “Arsenali e gjeti golin shumë shpejt, ata e dyfishuan rezultatin, madje shënuan edhe golin e tretë brenda 45 minutave. Sa herë që ndodheshin në zonën tonë, mendoja: ‘Po sikur të shënojnë golin e katërt…?’. Kur gjyqtari mbylli takimin, u ndjeva më i qetësuar. Gjithsesi, tani më e keqja kaloi, por të tilla paraqitje nuk i toleroj më”.

Galiani vë në pikëpyetje Alegrin
Pas 90 minutave të ndeshjes ndaj Arsenalit, administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka kërkuar një takim privat me trajnerin e tij, kundër të cilit ka shfryrë të gjitha emocionet negative që paraqitja e kampionëve të Italisë. Jo vetëm kaq, por, me sa duket, Galiani i ka dhënë edhe një ultimatum Alegrit, sipas të cilit, një tjetër ndeshje e këtij niveli do ta shkarkonte automatikisht nga Milani. Ajo që nuk i ka pëlqyer më shumë numrit dy të skuadrës italiane, ka qenë vendosja e skuadrës në fushë me tre sulmues të mirëfilltë, që ofruan një mal me hapësira për kundërshtarët në dy repartet e prapavijës. Ashtu siç e theksoi edhe vetë Galiani pas ndeshjes, gabimet teknike ishin të shumta nga Milani dhe për këtë faj kishte vetëm trajneri Alegri, i cili me Ibrahimoviçin, Robinjon dhe El Sharauin bëri një autogol
që në fund të takimit mund të kishte rezultuar fatal.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›