E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmija u nënshtrohet 5 transplanteve njëherësh

Fati dhe puna intensive e mjekëve
të spitalit të Bergamos ka bërë që
një fëmijë shqiptar 20 muajsh të
shpëtojë paq.
Ekipi i bluzave të bardha të spitalit
italian ka kryer brenda një dite transplantimin
e pesë organeve te foshnja,
ndërkohë që një tjetër fëmijë ka qenë
dhuruesi i organeve për shqiptarin e
sëmurë. Në spitalin "Riuniti" të qytetit
të Bergamos është kryer një operacion
rekord. Ekipi i mjekëve të repartit të
tretë të kirurgjisë arriti t‘i shpëtojë jetën
një fëmije shqiptar duke i transplantuar
menjëherë pesë organe: zorrën e
trashë, mëlçinë, stomakun, shpretkën
dhe pankreasin.
Fëmijës 20 muajsh, i lindur nga një
çift shqiptar me banim pranë qytetit të
Milanos, i janë dhuruar organet e një
foshnje që humbi jetën pak ditë pas
lindjes. 37-vjeçari Jetnor Fejzo, babai
i fëmijës shqiptar, i shprehu mirënjohjen
e tij mjekëve dhe familjes së
dhuruesit. Ai tha se është i lumtur që
jeta e fëmijës së tij shpëtoi, megjithëse
do të ketë nevojë për mjekime të gjata,
mbase të përhershme. Drejtuesi i ekipit
të kirurgëve shpjegoi se shumë pak
fëmijë kanë nevojë për një ndërhyrje të
tillë dhe mjaft prej tyre, për fat të keq,
humbasin jetën duke pritur një dhurues.
Vogëlushi shqiptar, i cili deri tani
është ushqyer me një sondë, së shpejti
do të mund të ushqehet vetë dhe të
bëjë një jetë normale. Sakaq, ministrja
e Shëndetësisë ka nënshkruar dje një
marrëveshje me spitalin e Bergamos.
Pacientë dhe paciente shqiptare që do
të kenë nevojë për ndihmë të specializuar
do të kenë mundësi të trajtohen
në shërbimet: urologji, neurokirurgji,
obstetri-gjinekologji. Pacientë nga
Shqipëria do të kenë mundësi që
nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të
përfitojnë një shërbim shëndetësor
më të specializuar në rastet kur
spitalet shqiptare nuk kanë mundësi
specifi ke ekzaminimi ose lind nevoja
për ndërhyrje tepër të vështira, të cilat
ende nuk praktikohen në kirurgjitë
tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›