E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fëmijë që vazhdojnë të vrasin veten

30/04/2005  Tashmë problemi i vetëvrasjes ndër fëmijët shqiptar po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Është e qartë që këto vetëvrasje nuk janë raste të veçuara, por pjesë e një fenomeni shumë më të gjerë, çka i bën ato vërtet problematike. Për më tepër kur përballë një fenomeni të tillë reagimi shoqëror, sikurse pasqyrohet në media, synon më shumë anashkalimin sesa analizimin e këtij fenomeni. Shkaqet e këtyre vetëvrasjeve kërkohen jashtë institutcioneve bazë të shoqërisë shqiptare, siç është familja, duke arritur kështu në përfundime sa absurde aq dhe qesharake të tipit ‘fëmija mori katër dhe më pas vrau vetveten’. Kështu, pasi përpjekja për t’ia veshur fajin fesë duket se nuk doli me sukses, tashmë burimi i së keqes po dalin notat jokaluese. Një argument mjaft qesharak, po të kemi parasysh se vetëvrasjet në fjalë janë bërë nga nxënës mesatar, në familje ku dukej qartë se mbijetesa ekonomike është shumë më prioritare sesa sedra intelektuale. Megjithatë, edhe sikur një notë e keqe të jetë vërtet shkaku i vetëvrasjes së një fëmije, përsëri mbetet për t’u sqaruar gjendja e rënduar psikologjike, në të cilën marrja e një katre është e mjaftueshmë për ta shtyrë një fëmijë në vetëvrasje.

Analiza e mirëfilltë e situatës do na çonte në rrënjët e problemit, të cilat ndodhen në marrëdhëniet brenda familjes. Në fakt është pikërisht ky fakt që shmanget, duke e kërkuar problemin te feja apo te katrat në mësime. Duket se shoqëria jonë nuk është ende e gatshme të pranojë dhe më pas përballojë krizën që po kalon familja shqiptare, çka reflektohet jo vetëm në vetëvrasjen e fëmijëve, por edhe në një sërë fenomenesh të tjera negative, ku gruaja vret apo helmon burrin, apo prindi fëmijën. Janë pikërisht traumat, në të cilat po kalon institucioni i familjes si dhe marrëdhëniet brenda saj, që duhet të analizohen për të kuptuar fenomenin e vrasjes së fëmijëve në mënyrë që më pas të prodhohen edhe zgjidhjet.

Vetëm kriza e institucionit të familjes mund të na ndihmojnë për të kuptuar se përse një numër gjithnjë e në rritje vogëlushësh preferojnë të vdesin më mirë sesa të jetojnë. Në krahasim me një katër në mësime, apo me ndikimin e fesë, situata në familje është shumë herë më e rëndësishme si një faktor themelor që mund të nxisë një fëmijë për t’i marrë jetën vetes. Është shumë më e logjikshme të mendosh se atëherë kur situata në familje rëndohet, kur fëmija bëhet dëshmitar i zënkave, skenave të dhunës midis prindërve apo edhe viktimë e kësaj dhune, atëherë ai ose ajo mund të preferojë të vetëvritet sesa të vazhdojë të jetojë në një situatë, ku hapësira familjare është bërë e pajetueshme.

Dhe gjasat janë që dhuna në familje gjatë viteve të tranzicionit ka ardhur duke u rritur dhe jo duke u zvogëluar, dhe kjo si pasojë e ndërveprimit të të paktën tri faktorëve siç janë marrëdhëniet burrë-grua dhe prindër-fëmijë, situata e rënduar ekonomiko-sociale në vend dhe kalimi nga familja e zgjeruar drejt familjes nukël. Ndërveprimi i këtyre faktorëve ka bërë që situata në familje të rëndohet, duke prodhuar edhe më shumë dhunë, dëshmitarë dhe pjesë e së cilës mund të jenë bërë edhe fëmijët, çka shpjegon numrin në rritje të vetëvrasjeve ndër ta.

Për të kuptuar diçka të tillë është e rëndësishme që të shohim shkurtimisht se si marrëdhënia midis faktorëve të sipërpërmendur ka ndikur në rritjen e nivelit të dhunës psikologjike dhe fizike në gjirin e familjes shqiptare. Së pari, duhet theksuar se në marrëdhënien mdisi burrit dhe gruas në familjen tradicionale shqiptare mbizotëron koncepti i pronësisë, ku gruaja shikohet si pronë e burrit dhe duhet t’i bindet atij në mënyrë ekskluzive, në të kundërt ai ka të drejtë jo vetëm t’i bërtasë, por edhe ta rrahë.I njëjti fenomen replikohet në marrëdhënien prindër-fëmijë, ku këta të fundit gjykohen të jenë pronë ekskluzive e prindërve të tyre, të cilët kanë të drejtë t’u bërtasin apo t’i rrahin, gjithmonë ‘për të mirën e tyre’. Dhe ashtu sikurse gruaja është ekskluzivitet i burrit, edhe fëmijët janë ekskluzivitet i prindërit.

Një marrëdhënie e tillë nuk është aspak e re, por ka qenë dhe akoma mbetet në themel të rregullimit të marrëdhënieve brenda familjes shqiptare. Këto koncepte kanë qenë mbizotëruese edhe në familjen e zgjeruar, ku dy apo më shumë vëllezër dhe breza jetonin nën të njëjtën çati. Megjithatë, në familjen e zgjeruar, në ndryshim nga familja nukël, që përbëhet vetëm nga babai, nëna dhe fëmijët, ka shumë më tepër kontroll. Pjesëtarët e familjes së zgjeruar monitorojnë veprimet e njëri-tjetrit, të vjetërit monitorojnë fëmijët e tyre, vjehrra - nuset, kunata - kunatën, vëllai - vëllanë, dhe kështu formësohet një hapësire marrëdhëniesh familjare, brenda së cilës mundësia për abuzim e prindit me fëmijën pothuajse eliminohet dhe mundësia për abuzim e bashkëshortit me bashkëshorten kontrollohet brenda niveleve të caktuara. Teprimet parandalohen apo minimizohen nga ndërhyrja e anëtarëve të tjerë të familjes. Kështu, shpesh gjyshja apo gjyshi futen në marrëdhënien prind-fëmijë, për të mbrojtur këta të fundit. Në këtë mënyrë familja e zgjeruar tradicionale prodhon një hapësirë më të sigurt si për fëmijën ashtu edhe për femrën, ndonëse në të dyja rastet ata mbeten të nënshtruar ndaj vullnetit të mashkullit.

Shpërbërja gjithnjë e më e madhe e familjes së zgjeruar në familje nukël, si pasojë e lëvizjeve demografike nga zonat rurale drejt atyre urbane, nuk është shoqëruar aspak me ndonjë ndryshim të thellë vleror në marrëdhëniet mashkull-femër apo prind- fëmijë. Pra, kemi po të njëjtat vlera, ku mashkulli dominon femrën dhe e trajton atë si pronë, ku fëmijët konsiderohen jo si qenie me personalitet, por si pronë e prindit, por pa kontrollin dhe monitorimin, që ekziston në familjen e zgjeruar. Një sistem kontrolli që shpesh shërben për të shmangur apo minimizuar abuzivizmin e tepërt, si ndaj femrës ashtu edhe ndaj fëmijëve, në çfarëdolloj forme qoftë ai. Në këto kushte kur kryefamiljari nuk përballet më me presionin e anëtarëve të tjerë të familjes dhe kur ai vazhdon ta shikojë si gruan ashtu edhe fëmijët si pronë personale, atëherë dhuna në familje rritet shumë lehtë.

Kësaj mund t’i shtojmë edhe gjendjen e rënduar ekonomike të shumë familjeve, humbjen e statusit social, pamundësinë për të gjetur punë dhe për të siguruar të ardhura. Të gjitha këto prodhojnë dëshpërim dhe stres në shumë kryefamiljarë. Në kushtet e një familjeje nukël me një sistem vleror si ky i yni, ku si femra ashtu edhe fëmija shikohen si prone, ky dëshpërim mund të përkthehet shumë lehtë në dhunë, aq më tepër kur mekanizmat parandalues apo monitorues mungojnë. Dhe kështu fëmija shpesh bëhet dëshmitar i një dhune të vazhdueshme brenda familjes dhe jo rrallë edhe pjesë e kësaj dhune, qoftë kjo fizike apo seksuale. Në këto kushte, nuk është aspak e çuditshme se përse një fëmijë vendos që të mos jetojë më. Nuk ka aspak rëndësi nëse pikënisja e vetëvrasjes ishte katra në mësime, zënka me shokët apo diçka tjetër po kaq e parëndësishme. Thelbi i problemit është ajo që po ndodh brenda familjes shqiptare, çka është edhe hapësira më e rëndësishme për një fëmijë. Për sa kohë ne nuk do të kemi guximin për ta parë në sy krizën, nëpër të cilën po kalon familja shqiptare, fëmijët tanë do vazhdojnë të vrasin veten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›