E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tri eksode ‘zbrazën’ Vrakën

30/04/2005  Në fshatin e pakicave serbe, që kërkon të drejtat

Shkaku i braktisjes ekonomik, banorët e paktë tregojnë se ndjehen mirë mes shqiptarëve

SHKODËR – Dikur ata të gjithë ishin një komunitet i madh e shumë domethënës. Nën zë i mësonin fëmijëve të tyre serbo-kroatisht, për të mbajtur gjallë rrënjët e të parëve. Pakica serbe e vendosur prej qindra vitesh, vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, sot pothuajse “ka shkrirë si dëbora nën diell”.

Nga rreth 2000 familje, që kanë banuar aty deri para viteve 1990, sot ata e numërojnë njëri-tjetrin ”me gishtat e njërës dorë”.

Në rrugën nacionale Shkodër-Hani i Hotit, 7 km nga qyteti i Shkodrës, në të dy anët e urës së Vrakës shtrihet fshati me të njëjtin emër, Vraka. Duke përshkuar 5 lagjet-fshatra, siç janë Grila, Boriç i Madh, Boriç i Vogël, Omaraj dhe Gruemirë, nga të cilat përbëhet Vraka, të bie në sy se shtëpitë kanë filluar të shkojnë drejt shkatërrimit, ndërsa sheh edhe çatitë e dëmtuara dhe tjegullat e rëna përtokë, xhamat e thyer, dyert dhe dritaret gjysmë të kalbura si dhe dyert e kyçura me dryn nga jashtë, në pjesën më të madhe të tyre nuk banon asnjë njeri.

Vraka është quajtur epiqendra e pakicave serbe, ose e vrakaçorëve, siç i thonë shkodranët, por duke ecur nëpër qendrën e Vrakës, fshatin Grilë, ndërsa familjet shqiptare kanë ardhur duke u shtuar, familjet vrakaçore është vështirë t’i gjesh.

Për të gjetur ndonjë familje në këtë fshat duhen pyetur banorët, tashmë të rinj, të cilët shprehen se diku ndodhet ndonjë familje, pasi të tjerat janë larguar në drejtim të Malit të Zi...

... Më në fund, në oborrin e një shtëpie, dallohen dy pleq që komunikojnë midis tyre në gjuhën serbo-kroate, duke të lënë të kuptosh se aty banon një familje vrakaçorësh. Është pikërisht shtëpia e 70-vjeçarit Gojko Matanoviç, i cili banon aty së bashku me të shoqen Drage, 65-vjeçare dhe të bijën, që ka dy djem. Ndërsa djali i vetëm i tij është duke jetuar në një shtëpi me qira në Mal të Zi, ku edhe punon.

Në lidhje me lëvizjet dhe kërkesat e vrakaçorëve, i moshuari Gojko Matanoviç, ka pranuar të shprehet për gazetën “Metropol”.

Si i moshuar që jeni, a e dini se kur kanë ardhur të parët tuaj në këtë zonë?

Po. Gjithmonë kemi qenë kurioz se nga kanë ardhur dhe pse kanë ardhur të parët tanë në Shqipëri. Gjyshërit tanë na kanë treguar se të parët tanë kanë ardhur në këtë zonë rreth 500-600 vjet më përpara dhe u vendosën në këto fshatra, pasi gjetën mikpritje të shqiptarëve dhe kushte më të mira pune dhe jetese. Më vonë, pas ardhjes së tyre, kjo zonë e mori emrin Vrakë, nga vija e ujit që kalonte në mes të fshatrave, e që në dialektin e gjuhës sonë vrakë do të thotë vijë uji.

Përse janë larguar vrakaçorët nga Vraka? Mos ndoshta nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët?

Përkundrazi, mikpritja, kjo traditë e shqiptarit, i mbajti vrakaçorët, për shekuj me radhë në këtë vend. Me banorët shqiptarë të kësaj zone, kemi bashkëjetuar në mënyrë perfekte dhe marrëdhëniet kanë qenë reciprokisht të shkëlqyera, aq sa asnjëherë nuk na është dukur se po jetojmë në dhe të huaj. Arsyeja e largimit ka qenë thjesht ekonomike, ashtu si për të gjithë shqiptarët, por në ndyshim nga ata, duke qenë se në vendet e ish-Jugosllavisë kishin të afërmit dhe flisnin dhe gjuhën, menduan se do të kishin favore për të punuar dhe për të bërë një jetë më të mirë. Edhe më përpara ka pasur largime të vrakaçorëve në Mal të Zi, sidomos në vitin 1934, në kohën e Zogut dhe në 1945, pas vendosjes së regjimit kumunist, por përsëri ka pasur kthim të tyre, pasi lidhjet me këtë zonë dhe mirëkuptimi me shqiptarët ishte i një niveli të lartë. Periudha më e dhimbshme për vrakaçorët dhe Vrakën, ka qenë viti 1991 dhe pikërisht datat 3 dhe 9 mars, kohë kur largimi apo eksodi u bë me përmasa të mëdha, pa pasur më kthim prapa dhe kjo e theksoj edhe njëherë ndodhi vetëm për arsye ekonomike.

Sa familje mund të kenë mbetur sot në Vrakë?

Sot për sot në të gjithë fshatrat e Vrakës numërohen rreth 40 familje, që do të thotë shumë pak në krahasim me 2000 familjet, që jetonin këtu para vitit 1990. Ndërsa në lagjen tonë, dikur kishte 150 shtëpi vrakaçorësh e tani janë vetëm 6 të tilla, pra gjithsejt 30 banorë.

Si pakicë serbo-malazeze, a keni pasur ndonjëherë kërkesa apo edhe probleme që ju kanë shqetësuar?

Fillimisht, dua të theksoj se si pakicë kombëtare kërkojmë të njëjtat të drejta si dhe pakica greke në jug të vendit, apo edhe si pakicat shqiptare në Mal të Zi. Duam që për fëmijët tanë të futet mësimi i gjuhës sonë serbo-kroate, pasi brez pas brezi, kjo gjuhë po nuk u mësua në shkollë do të humbasë dhe nuk është mirë që brezat e rinj të mos ta dijnë gjuhën e të parëve të tyre. Këtë e vërteton edhe nipi im 14 vjeç, që së bashku me 4 shokët e tjerë vrakaçorë, flasin, por nuk mund të shkruajnë serbo-kroatisht. Duam që në raste gëzimi të ngremë flamurin tonë e të mos na ndalohet, siç ka ndodhur në doganën shqiptare, që nuk i ka lejuar makinat të kalojnë pa hequr flamurin tonë. Ndërsa për sa i përket problemeve me shtetin, nuk kemi pasur asnjëherë të tilla, sepse edhe në kohë të diktaturës jemi trajtuar njësoj si shqiptarët. Natyrisht edhe vuajtjen e kemi pasur si ata, ku mund të përmendim rastin e internimit të dy familjeve vrakaçore, që deshën të thyenin kufirin e të kalonin në shtetin e “huaj”, Jugosllavi. Një problem na ka dalë sot, në lidhje me tokën e ndarë pas viteve ‘90. Kjo tokë në pjesën më të madhe është zënë nga banorë të ardhur nga Dukagjini, ku dhe kanë ndërtuar shtëpi. Prandaj duhet një interesim më i madh nga shteti për të na dalë krah, në mënyrë që të mos vritemi për këtë problem.

Ju pesonalisht, a keni menduar ndonjëherë të largoheni?

As nuk kam menduar dhe as nuk do ta mendoj kurrë një gjë të tillë. Asnjëherë nuk do ta braktis shtëpinë time dhe as vendin ku kanë jetuar përreth 500 vjet të parët e mi. Madje, edhe djalit tim dhe të afërmve të mi u kam thënë, se kudo që të shkojnë, përsëri do ta kthejnë kokën pas dhe do të vijnë në Vrakë. Por kjo natyrisht nuk mund të ndodhë tani, me këto kushte dhe me këtë ekonomi që kemi sot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›