E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOP e themeluesit, në garë për nënkryetarë dhe sekretarë

30/04/2005  Nis konkurimi në Partinë Demokratike për postet drejtuese në katër vitet e ardhshme

Të rinjtë do të rivalizojnë më 2 maj drejtuesit kryesorë të selisë Blu

Në listën, që kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do t’i prezantojë Këshillit Kombëtar për të zgjedhur kryesinë e re, do të jenë 38 emra, nga të cilët do të përzgjidhen vetëm 25 prej tyre. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar veç kryesisë do të votojë dhe për përzgjedhjn e nënkryetarëve dhe sekretarëve më të lartë të PD-së. Burime në PD thonë për “Metropol” se në të dyja listat nuk përjashtohet përfshirja e anëtarëve të KOP dhe themeluesve të PD-së.

Kryesia

Emrat që do të kandidojnë për në Kryesinë e PD-së në bazë të statutit përcaktohen nga vetë kryetari i partisë. Burime në PD shprehen se në listë kësaj here janë dhe një pjesë e anëtarëve të KOP, të cilët vetëm para pak ditësh u votuan nga delegatët në Këshillin Kombëtar, por edhe emra të themeluesve të PD-së, si Preç Zogaj dhe Genc Ruli. Nga anëtarët e KOP parashikohet që në listën e Berishës të jenë emrat të tillë si Lulëzim Basha, Majlinda Bregu, Ylli Pango, Aldo Bumçi etj., të cilët do të zëvendësojnë një pjesë të anëtarësisë aktuale të PD-së. Të njëjtat burime shprehen se, duke pasur parasysh votat që disa prej anëtarëve të KOP morën në Kuvend, por edhe pa mohuar punën e tyre për hartimin e platformës të paraqitur nga lideri demokrat në Kuvend, atëherë është parë me vend që këta të fundit të jenë dhe anëtarë të strukturave drejtuese të PD-së. Në listën e kandidimit për kryesinë e partisë nga lideri Berisha pritet që të jetë dhe emri i Uran Butkës, i cili ishte dhe i vetmi kundërshtar i kryetarit në Kuvendin e Tetë të PD-së.

Sekretarët

Burimet shprehen se teknicienët e PD-së dhe themeluesit e partisë pritet të përfshihen edhe në garën për postet e nënkryetarëve dhe sekretarëve të PD-së. Burimet shtojnë se parashikohet që përballë nënkryetarit aktual të PD-së, Bamir Topi, të konkurrojë për këtë post Genc Ruli, themelues i partisë në fillimin e viteve ’90-të. Një tjetër themelues, i rikthyer rishtaz në PD, Preç Zogaj, pritet të konkurrojë për postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun, që aktualisht e mban Spartak Ngjela. Ndërkohë, burimet shtojnë se për postet kyçe në PD pritet të kandidojnë edhe disa nga anëtarët e KOP, të cilët morën vota të konsiderueshme në Kuvendin Kombëtar të partisë. Lulëzim Basha, Majlinda Bregu, apo Ylli Pango dhe Selami Xhepa, priten të jenë kandidatë për drejtimin e partisë në katër vitet e ardhshme. Burimet shtojnë se Majlinda Bregu pritet të garojë përballë Jozefina Topallit, për postin e nënkryetares së partisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Lulëzim Basha të vihet përballë Ritvan Bodes, në garën për postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Në garë parashikohet të futet edhe dekani i Shkencave Sociale, Ylli Pango, që pritet të kandidojë me Fatos Bejën, për postin e sekretarit për Burimet Njerëzore. Gjithsesi, burimet shprehen se deri në momentin që Berisha të vendosë të shpallë listat e kandidimit, çdokush prej kandidatëve mund të ndryshohet në momentin e fundit. Ndërkohë, si në garën për kryesinë ashtu edhe për përzgjedhjen e sekretarëve tëPD-së, do të respektohet 25 përqindëshi i pjesëmarrjes së femrave në forumet drejtuese të partisë.

Sali Berisha veto për dy poste

Paloka dhe Mustafaj emërohen nga kryetari

Në bazë të statutit të PD-së, për sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe zëdhënësin e partisë vendos kryetari Berisha. Për këto poste, statuti i PD-së përcakton se personat emërohen dhe nuk i nënshtrohen votës së Këshillit Kombëtar, si anëtarët e kryesisë apo drejtuesit e tjerë të partisë. Burime në PD shprehen se për Besnik Mustafaj sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Edi Paloka zëdhënës i PD-së nuk parashikohet ndonjë ndryshim. Ata, me sa shihet, e kanë fituar besimin e Berishës për të mbajtur dhe 4 vjet të tjera postet që kanë aktualisht. Besnik Mustafaj, për një periudhë 5- vjeçare ka qenë ambasador i Shqipërisë në Francë, dhe njihet si njeri me lidhje të forta në qarqet ndërkombëtare, për shkak të postit që ka pasur. Në të njëjtin post duket se do të qëndrojë dhe zëdhënësi aktual i PD-së, Edi Paloka. Ky i fundit, njihet nga anëtarësia e PD-së si njeri i besuar i kryetarit. Vetë Paloka për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si gazetar, ndërkohë që Berisha në prezantimin e tij si kandidat për deputet, u shpreh se do të jetë dhe një nga njerëzit e tij të afërt në qeverisje. Paloka dhe Mustafaj, janë dy deputetë që e kanë fituar mandatin me votim të drejtpërdrejtë në kryeqytet në zgjedhjet e kaluara. Ndërkohë që janë dhe dy nga kandidaturat e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pretendentët për Kryesinë

1-Sali Berisha

2-Bamir Topi

3-Jozefina Topalli

4-Ridvan Bode

5-Sokol Olldashi

6- Lulëzim Basha

7-Marjeta Zaçe

8-Edi Paloka

9-Ylli Pango

10-Spartak Ngjela

11-Edmond Spaho

12-Preç Zogaj

13-Majlinda Bregu

14-Maks Cikuli

15-Genc Ruli

16-Gjergj Lezhja

17-Astrit Patozi

18-Flamur Shehu

19-Fatos Beja

20-Shaban Memia

21-Uran Butka

22-Rexhep Uka

23-Aldo Bumçi

24-Margarita Qirko

25-Liri Dibra

Përballjet e pritshme për postet kyçe në PD

Nënkryetar

Bamir Topi - Genc Ruli

Nënkryetar

Jozefina Topalli - Majlinda Bregu

Sekretar i Përgjithshëm

Ridvan Bode - Lulëzim Basha

Sekretar i Bashkëpunimit me Organizatat Partnere

Aleksandër Biberaj - Gent Strazimiri

Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun

Spartak Ngjel - Preç Zogaj

Sekretar për Burimet Njerzore

Fatos Beja - Ylli Pango

Sekretar Organizativ

Ilir Bano - Flamur Shehu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›