E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijëria ime “ e përmjerë” me përparësen beze kombinati

Autori i Lajmit: red.
Vangjel Kozma

Ta pyesim… nga ta pyesim Vangjel Kozmanë? Po sikur ta pyesim për fëmininë, ta bëjmë ”pak serioz”? Vangjeli, dekoratë i dha fëminisë, por nga humori nuk i zhveshi as kujtimet e saj. Burri mesoburrë megjithatë i solli, ashtu të freskëta ato vite, që janë të shenjta në jetën e çdo njeriu. Edhe vetëm për fëmijërinë njeriu ka kaq shumë e shumë për të thënë, aq më tepër kur ky njeri është skenarist, shkrimtar, që do të thotë…do të thotë...do të thotë këtë, që është përherë më i lidhur me kujtimet e saj, që ka pasur qysh atëherë një parathënie ndjeshmërie mbi mesataren, që mbase siç besohet, ka edhe një kujtesë pak më të hershme se njerëzit e tjerë. Pasi lexon për fëmijërinë e Vangjelit, pyet veten: “Impresionet e Vangjelit fëmijë ishin këto apo ato të Vangjelit të rritur, për atë moshë?” Disa lidhje me siguri ai i bën sot, si domethënien që kishte sfondi politik, apo paradoksi i ngushëllimit të familjes për vdekjen e Stalinit, kur ajo sapo ishte gëzuar me lindjen e tij …Por, me siguri, që përparëset që shkëlqenin mes atyre të pluhrosurave prej bezeje, atij i kanë parathënë diçka qysh atëherë. Një fletë lavdërimi e ruajtur me kujdes (edhe pse pas një incidenti), tregon ironinë, sarkazmën më mirë, sarkazmën e fatit me fëmijërinë e varfër. Më poshtë: Rrëfimi i Vangjelit në vetën e parë.
”Fëmijëria është një dekoratë për çdo njeri normal”
”Një rrëfim për fëmininë është gjithnjë i rëndësishëm, sepse ajo është si kampioni i mineralit në gjeologji kur akoma nuk është tjetërsuar nga ngurtësimet e kripërave dhe aktiviteti i errozionit. E konsideroj fat, që veç të tjerave, në jetë, kam qenë dhe fëmijë. Kjo mendoj se është një lloj dekorate për çdo njeri normal. Unë linda në Çarshovë të Përmetit, disa ditë para se të vdiste "baba Stalini". Ato ditë, një tip dhëndri i fisit, që kishte një lloj pozite në ushtri, në vend që ta uronte për djalin, i shprehte mamasë sime hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe, aq më tepër që vetëm nga Shqipëria nuk shkoi delegacion në varrimin e Stalinit. Ime më, që ishte nga fisi më poetik dhe satirik i zonës, e ngushëlloi duke i thënë që të mos bëhej merak, se Stalinit do t i shkonin kur të bënte "të dyzetat".Pra, siç shikohet, sfondi historik i lindjes sime, garantonte një fëmini heroike, me triska buke, pantallona dhe brekë të blera tek dyqani "me reciprok" dhe plot çudira të tjera, që tani shumica nuk i kuptojnë ose dhe ata që i kuptojnë, mund të thonë se po ia fus kot! Pjesa tjetër e fëminisë kaloi në Tiranë ku erdha në moshën pesë vjeçare. Ne nisëm të banonim në një shtëpi me tavan kartoni në rrugën "Barrikada". Përballë kisha një teqe, një xhami dhe palestrën e boksit. Këto dy të fundit u shembën për të ndërtuar gjimnazin "Sami Frashëri". Përveç zërit të hoxhës dhe Enver Hoxhës, mbaj mend ardhjen e Hrushovit, Co Jon Gen-it, Ngvame Nkrumes, Cu En Lait etj. Pra sërish me një sfond heroik revolocionar, me shallin e pionierit në qafë dhe përparësen e zezë me beze kombinati nëntë muaj në vit. Për t u përmendur është se unë bëja pjesë tek përparëset e bezes, se në klasë ishte dhe grupi i përparëseve të akllasit që ishin projektuar në mënyrë të çuditeshme që atëherë, të bëheshin mjekë, filozofë, diplomatë ose shefa komitetesh. Une isha një nga nxënësit më të dalluar të shkollës, por në ndryshim nga "përparëset e akllasit", kur mora fletën e lavdërimit për rezultate të larta në mësime, e hodha mbi krevatin dopio ku flija bashkë me vëllain dhe aty ajo për çudi, u lag. Ma kishte përmjerë një mace që kalonte në atë çast mbi kartonat e tavanit. E ruaj akoma atë fletë lavdërimi si dëshmi të fëminisë sime "të përmjerë".
“Drama e rinisë sime- përpjekje Sizifi për t u bërë njeri i mirë”
Rinia ime ka qenë një përpjekje e mundimshme për të ndjerë që jetoja. Kam pasur një shqetësim shumë personal, që të bëhesha njeri i mirë dhe kjo vinte sa nga origjina, aq dhe nga leximet e pafundme që bëja. Në fakt, kjo ishte dramë, ishte përpjekje Sizifi, se herë-herë më dukej vetja "koqe në degë". Por në fakt, arrita të jem njeri i mirë, pasi ndryshe nuk do të kisha kaq shokë dhe miq të mirë. Kam provuar të gjitha marrëzitë dhe hajvanllëqet e kohës, aq sa kurrizi im, ashtu si i gjithë brezit tim, ishte gati për samar, të cilin na e vunë me sukses, po dhe ne e mbajtëm me sukses! Tani mund të duket e çuditshme, se si mund të na "zdrugonin" kështu, po ustallarët e diktaturës kishin mësuar sekretin e thjeshtë: mjafton që të mos njohësh lirinë dhe të tjerat vijnë vetë. Ne ishim brez skllevërish, të lindur nga një tjetër brez skllevërish dhe ai stan nuk mund të bënte bulmet, po "belmut"! Të më falin, por nga përvoja e rinisë dhe brezit tim, nuk mund t i besoj përrallat për shpirtin liridashës të popullit tonë dhe historinë e tij të lavdishme. Sipas meje, ne kemi vetëm një monument të vërtetë vlerash, që është gjuha shqipe Të tjerat janë pordhë me rigon.

Si demokrat i orëve te para nuk pendohem: Disa morën pushtetin kurse unë, lirinë

Vetëm pas 90-s shkrova si ma donte qejfi

Bashkërregjisori i Portokallisë: Unë dhe Jani Duri shkruajmë me normë për bukën e gojës

-Ishin vitet kur diktatura gjendej në kulmin e saj, kur ju u dërguat për “edukim” në Fierzë. Çfarë “faji” kishit bërë? Pse nuk ju doli e drejta e studimit dhe a keni ndonjë peng tjetër nga koha e rinisë suaj?
Më dënuan babanë me dhjetë vjet burg, për një çështje ordinere me prapavijë politike, që nuk mund ta shpjegoj në një intervistë si kjo. Kur ndodhte një gjë e tillë, shembej gjithçka, që nga puna, jeta, farefisi, shëndeti, morali etj.dhe faji i im ishte se unë isha djali i babait tim krejtësisht të pafajshëm. Kur jam pagëzuar në kishën e fshatit, sipas shënimeve të priftit (dajës tim), ka ndodhur një çudi. Kryqi i vajit mbi ujë prishej dhe ribëhej sa herë më fusnin mua në "kulufi" dhe kjo do të thoshte që unë do të isha njeri me fat. Pavarësisht se jam ateist, i jap të drejtë librit të kishës, se mes një jete me shumë fatkeqësi, në fund ka mbetur i paprishur "fat"-i. Edhe Fierza në fund të fundit ishte fat, pasi u rrita, u burrërova dhe u njoha me miqtë më të mirë të jetës sime që i kam e më kanë edhe sot.
-A keni manifestuar gjë “shfaqje të huaja” për frymën e kohës? Si i kishit marrëdhëniet me pushtetin në këtë kohë? A shkruanit në këto vite dhe a guxonit të vinit në lojë sistemin me sarkazmën tuaj?
Nuk kam manifestuar asnjë shfaqje të huaj, së pari se nuk më pëlqenin dhe së dyti se në fund të pesëmbëdhjetë ditëshit, në vend që të ndiqja shfaqjet e huaja, më duhej të ndiqja bisedën e prindërve për të gjetur 500 lekë borxh. Kam filluar të shkruaj që në vitin 1964, kur fitova dhe konkursin kombëtar në Radio Tirana. Atëherë u lidha me një njeri të madh trupvogël që quhej Rinush Idrizi, i cili më mësoi jo aq se si duhej shkruar, se sa si nuk duhej shkruar dhe mbi të gjitha, më njohu me kuptimin e vërtetë të fjalës "Liri". Ndjej keqardhje të madhe, që profesori im i dashur, vdiq i syrgjynosur në Amerikë në kërkim të asaj që ma mësoi dhe ma dhuroi mua. Unë atëherë kam botuar dhe dy libra, ku gjen edhe ndonje poezi të bukur, po vetëm në vitin 1988 e kuptova vërtet atë që më kishte mësuar profesori im, pra se si nuk duhej shkruar. Kjo ndodhi me një tregim "Ikja e Lorit" të cilin ma përktheu në italisht miku im Xhanluixhi Baldini dhe une tentova ta nxjerr jashtë për ta botuar, i sigurt se do të përfundoja në burg. "Heroizmi" im nuk u realizua dot dhe vetëm në vitin 1990 e më pas shkrova si më donte qejfi!
-Cilët kanë qenë miqtë dhe “miqtë” tuaj në ato vite?
Njerëz të thjeshtë si unë. Asnjë autoritet apo "artist".
-Keni qenë i përfshirë në lëvizjen për përmbysjen e sistemit, madje që në orët e para të tij. Sa vjeç ishit atëherë? Cili ishte motivi më i fortë që ju nxiti, aspekti më i padurueshëm i sistemit monist për ju? Na tregoni disa gjëra për atë kohë. Si i keni tani raportet me partinë në pushtet për të cilën keni vënë një tullë, raportet me njerëzit e saj? Pse u shpërndanë PD-istët e parë si zogjtë e skifterit?
Kam qenë në moshë të pjekur dhe kryefamiljar, kur mora pjesë në lëvizjen demokratike, prandaj tani çuditem se si kam bërë bashkë me tjerët gjithë ato marrëzira. Po Jani Duri thotë për atë periudhë se ne ishim aktorë të një drame, personazhet e se cilës shkruhen në faqen e fundit. Vetëm kur të mbarojë drama, do të marrim vesh, çfarë roli kemi luajtur. Unë bëra ato që më erdhi për t i bërë, pa menduar se çfare do fitoja apo humbja. Çështja ishte, se përveç llojit tim, ishte dhe lloji i të komanduarve, që e dinin me saktësi çfarë bënin dhe pse e bënin. Sigurisht, ata do të ishin fitimtarët dhe heronjtë. Nuk kam asnjë keqardhje për këtë se secila palë, mori atë që kërkoi. Unë kërkova dhe mora lirinë, të tjerët kërkuan dhe morën pushtetin.
-Si u vutë në kontakt me skenën dhe ekranin? Kur ndodhi kjo dhe kush kanë qenë ata, që ju ofruan bashkëpunime, duke zhfrytëzuar skenaret tuaja?
Të gjitha erdhën, pasi fillova punën në Radio- Tirana, që ishte një ent i madh botues. Ndihem krenar që kam lënë diçka në arkivin e saj.
-Keni një aktivitet intensiv në fushën e krijimtarisë, një pjesë të mirë të së cilës e zë humori (dihet që është një zhanër i vështirë). Emri juaj gjendet gjithandej, nga teatri, tek letërsia e shkruar, tek ekrani (spektaklet televizive) edhe emisionet radiofonike. Edhe në media. Cilin prej tyre do të donit të veçonit?
Në fakt, sot në Shqipëri ka dy shkrimtarë me normë: Jani Duri dhe unë. Dikur edhe neve vetë na dukej çudi se si mund të shkruhet, pa të ardhur ajo "lumbardha e Anakreonit" që thotë De Rada, po duke luftuar për bukën e gojës (pasi ne nuk kemi as të gjetura dhe as të mbetura) nga fjala "frymëzim" bie "zim"-i dhe mbetet "fryrja").
-A ju ndodh të shterroni, të mos keni asgjë për të thënë?
Njeriu ka gjithnjë diçka për të thënë, qoftë edhe kur hesht.
-Cilat janë veset e shoqërisë që stigmatizoni më shpesh, pra ato që edhe i urreni më shumë?
Boshllëku dhe shtirja. Eshtë e tmerrshme që njeriu dhe bota të jenë si një libër që ka vetëm kapakët dhe kur e hap, mund të gjesh vetëm fletën "Ndreqje gabimesh".
-Bëni humor me vetveten dhe çfarë vini në lojë në këtë rast?
Humori me veten është më i vërteti, se sado të thonë të tjerët, sa e njoh unë veten, nuk e njeh kush. Vetja ime e di se çfare i punoj unë, kur jemi vetëm ne të dy, para pasqyrës dhe mundohet të ma hedhë.
-Ju jeni edhe skenarist tek “Portokalli”, spektakël mjaft i ndjekur, por jo pak edhe i përfolur për gjuhën e përdorur në të. Ju si skenarist e shihni të pamundur të bëhet humor pa banalitete? Dhe kur kjo ndodh, përse ndodh? (Gjuha si konvencion moral, “e liruar” hyn tek tabutë për një pjesë të njerëzve. A i mbani parasysh këta njerëz kur shkruani? A keni konflikte brenda mjedisit të punës për çështje të tilla?)
Citoj për të njëmijtën herë profesorin tim, Rinush Idrizi, që thoshte se në asnjë gjuhë të botës nuk ka fjalë banale. Ka vetëm fjalë të përdorura banalisht. E thashë se për mua gjuha shqipe është monumenti më i qenësishëm i këtij vendi dhe këtij populli dhe unë nuk mund t i lejoj vetes të ndyj këtë monument që e respektoj. Ata që më njohin e dinë se sa i edukuar dhe qibar jam dhe kurrë nuk kam përdorur dhe nuk do ta përdor fjalën banalisht. ”Portokallia” është në radhë të parë, një ndërmarrje, pastaj një institucion i humorit dhe duhet parë si e tillë. Nuk është normale, që sapo hyn, të kërkosh ku janë banjot.

”Të quhesh tirans vazhdon të jetë dekoratë, që duhet merituar”
Në kohë fushate dua të marr malet...

-Vangjel Kozma në kohë fushate është më i mbushur apo është në periudhë “latente” kohë kur akumulon?
Në kohë fushate, në fakt kam një dëshirë të marr malet dhe këtë do të bëj edhe këto ditë, menjëherë sa të mbaroj këtë intervistë, pasi unë si popull kam pak mundësi të mbjell, shumë- pak mundësi të prashis dhe pothuajse aspak mundësi të korr.
-Disa komente tuajat për mënyrën se si po zhvillohet kjo fushatë si dhe disa parashikime largpamëse.
Kur dëgjoj këtë pyetje, më vjen në mendje kënga ”Selanik e tatëpjetë”, siç ka qenë do të jetë!"”
-Keni shkelur ndonjëherë në dërrasë të kalbur?
Problem është kur dërrasa është jo vetëm e kalbur, po ka dhe ca gozhdë të ndryshkura dhe veç allçisë, duhet të durosh dhe gjilpërat e tetanozit. Deri tani nuk kam as thyerje kockash, as vrima gozhdësh.
-I keni thënë ndonjëherë derrit-dajë?
Vazhdimisht, sidomos pas vdekjes së dajës tim. Keq është sa të mësohesh dhe ne si popull mësohemi shpejt.
-A vuani nga telepatia?
Nuk e konsideroj vuajtje, pasi unë në përgjithësi, ata që kujtoj dhe më dalin para, janë njerëz që i dua.
-Si gdhihet e ngryset një qytet si Tirana në optikën tuaj?
Megjithëse kam 50 vjet që gdhihem në Tiranë, nuk jam ngopur me magjinë e saj të qetë e të veçantë, sepse Tirana është një vend i çuditshëm me aftësi të pafundme asimiluese për agresivitetin, injorancën dhe pisllëkun e atyre që prej dhjetëra e dhjetëra vjetësh e sjellin këtu nga provincat e tyre. Të quhesh tirans vazhdon të jetë dekoratë, që duhet merituar.
-Humbjen e nuhatjes e shihni si mallkim apo si bekim?
Njerëzit zakonisht ankohen se të tjerët fusin hundët në punët e tyre, kurse unë duhet të ankohem se ju po fusni hundët në hundën time. Eshtë e vërtetë se prej shumë vitesh, më ka ikur nuhatja, por jo ajo politike, dhe sa për të tjerat, ndihem më mirë se ju, pasi nuk më shqetëson era e shpifur e tranzicionit shqiptar, që ecën drejt Evropës i palarë dhe mes plehrash.
-Jeni firmëtar i peticionit të 12 dhjetorit si dhe autor i thirrjes për qytetarët e Tiranes më 18 shkurt, që solli më pas rrezimin e bustit të diktatorit. Ju pëlqejnë ende peticionet?
Nuk më kanë pëlqyer as atëherë, po e kam bërë se duhej bërë dhe ndryshe nga tani, atëherë kishte njerëz që dëgjonin, kurse tani të gjithë thërrasin dhe askush nuk dëgjon se janë bërë të gjithë intelektualë pordhacë ose siç i quaj une,“intepordhacalë”.
-Keni frikë nga pleqëria, nga humbja e fuqisë burrërore? Po nga çmenduria?
Nuk shikoj arsye për të pasur frike nga pleqëria, kurse për tjetrën duhet të pyesni gruan time. Përsa i perket çmendurisë, ajo është relative dhe unë mendoj se nuk mund të quhesh i mençur pa qene pak i çmendur.
-Cili është sllogani juaj më i dashur?
Eshte ai që dëgjojmë prej dy dekadash: “ Ne bëjmë pallë- bota ndihmon!”
-Kemi krizë Vangjo. E ke marrë vesh? Dhe çfarë po bën ti, për t ia lehtësuar popullit mundimet?
Unë kam votuar një qeveri, e cila më thotë se nuk ka krizë, prandaj mos ia fusni kot, se nuk dini ju më shumë se qeveria.
-Ju jeni si mjekët, kur bie epidemia. Në këto kohë mbushni thesin e krijimtarisë. Mund të na thoni se ç keni aty brenda deri tani?
Thesin e kam mbushur me thasë bosh se më janë shkundur nga ky sezon i gjatë dhe i lodhshëm, megjithatë po i shkunda, e bëj një kulaç.
-Kush e ndërton (ndikon) më shumë opinionin e një shoqërie: gratë apo burrat? (Opinionin për moralin, për politikën, për traditën, për shumë norma të jetës).
Sipas një neni idiot të kodit zgjedhor, burrat kanë vendosur që gratë të ndikojnë deri në masën 30%. Çfarë mund të thuash tjetër për këta burra dhe gra që quhen politikanë?! Ose janë budallenj dhe të trashë ose janë të poshtër.
-Burrat nuk hyjnë thuajse kurrë në dyqane stolish. Pse nuk u pëlqejnë atyre kalekulet (çikërrimat)?
Kjo ndoshta ndodh sepse burrat seç kanë ca çikërrima më vete.
-Ç mendim keni për gazetarinë e sotme e të djeshme?
Gazetaria, mendoj se ka shumë gazra.
-I frekuentoni klubet e natës, sa i njohur jeni me atmosferën e tyre dhe çfarë tagri ka grupi i njerëzve që frekuenton këto mjedise, ku behet edhe striptizëm?
Nuk i frekuentoj unë klubet e natës, por më frekuentojnë ato mua, se çdo natë më hyjnë në shtëpi me muzikën e tyre katastrofike dhe zhurmën e tmerrshme. Se të më sillnin dhe striptizmin, makar.
-Keni qenë ndonjëherë “viktimë” e bukurisë femërore? Sa të vërtetë ka në pohimin se burrat shashstisen nga bukuria dhe harrojnë: Në vend të mendimeve, vërejnë lakoret?...
Nuk mendoj se është e përshtatshme fjala “viktimë”, se bukuria femërore të bën fatlum dhe hutimi ndaj saj është si hutimi para një vepre arti.

Skenaristi, aktor në skenaret e përmbysjes së sistemit
Nga themelimi i PD-së, tek Lëvizja Sindikaliste

Dramaturg, skenarist, publicist... një ditë Vangjel Kozma do të bëhej pjesë e një skenari që siç thotë edhe vetë, tjetër kush e kishte shkruar dhe ku secili ishte një aktor dhe luante një rol. Në dhjetor të 1990 atij “i shkrepi” të bëhej autor i dy komunikatave të para klandestine që i paraprinë shtypit pluralist. Si një nga dy përfaqësuesit e klasës punëtore, Vangjelit i njihet vula e një prej themeluesve apo nismëtarëve të krijimit të Partisë Demokratike si dhe më pas, e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ndërsa sot është tërësisht i tëhequr nga jeta sindikale për arsye që merren me mend. Vangjel Kozma ka qenë kryeredaktor i parë i gazetës “Sindikalisti”, në kohën kur Shqipëria për herë të parë njohu një erë sindikaliste me grevat e mëdha të urisë së minatorëve. Për këtë kontribut është dekoruar “Pishtar i Demokracisë” nga President i Republikës. Në 18 shkurt 1991, Vangjeli iu drejtua qyetarëve të Tiranës për të mbështetur grevën e studentëve. Por më 1992, dha dorëheqjen nga të gjitha aktivitetet politike.

Karriera si krijues dhe krijimtaria
Dramaturg, skenarist, publicist, poet
Drejtor i Departamentit të Kulturës në Radio-Tirana.
Drejtor në Radio+2” në vitin 1999 dhë më pas, shkrimtar i lirë

Në radio:
Emisioni satirik “Ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time”- në Radio Tirana (bashkëautor Jani Duri). 26 radiodramatizime të përshtatura dhe origjinale në Radio Tirana. Dhjetëra emisione, radioreportazhe, skenare të programeve festive, emisione investigative etj.

Në televizion:
Skenarist i katër festivaleve të këngës në RTV, programeve festive të Vitit të Ri.
Autor i emisionit “Shkruaje ne akull” në Telenorba
Autori i emisionit ”Unë e them, ti e tund” në TV Arbëria.
Autor i spektaklit “Rokoko” në TV Arbëria
Bashkëautor i spektakleve “12 të shtuna pa një të diel”, Miss Albania, Kënga Magjike etj. në TV Arbëria.
Bashkëskenarist i shoë-t “Portokalli” në Top Channel.
Autor i filmave humoristikë me metrazh të shkurtër si “E ëma e Zeqos majë thanës”, “Gjergj Elez Alia”, “Shpella e votimit”, “Kanuni i Lekës”, “Ç u nise nga Drashovica”, “Opingat e Sheros”, “Trapi i vjetër”, “Ra Faja nga fiku”, “Si frëngu pulën” etj.
Autor i filmave dokumentarë: “Me detin brenda” 1998”; Ftesë për ditëlindje”-2000, “Heronjtë në sirtar”- TVSH 2006.

Në teatër:
“Madhështia e marrëzisë”-komedi (bashkëautor Jani Duri) në Teatrin Kombëtar, 1994
“Epopeja e supës”,- komedi (Fituese e ]mimit të parë në Konkursin Kombëtar të Dramës dhe Komedisë)- teatri privat, 1995.
“Gjethja”-dramë konvencionale.- Teatri Kombëtar- 1996.
“Nderi i Kombit”- dramë satirike. Teatri privat, 2004. Autor i ojesëve për Teatrin Kombëtar të Kukullave: “Në shtëpinë e Borëbardhës”, “Pentagrami i ëndrrave”, “Mbretëria e vetëmlojës”, “Kutia magjike”, “Në bregdetin e një lumi”.

Në publicistikë:
Cikli: Dy plus dy në Shqipëri, ndonjëherë bëjnë katër” (Gazeta “Shekulli”)
Cikli: “Mbi mbarëvajtjen e punëve”- Revista “Hosteni” (Fitues i çmimit të madh të 50-vjetorit të revistës)
Cikli “Sikur...” i shoqëruar me karikatura origjinale- gazeta “Ballkan”
Gazeta satirike “Rrota”,- botim privat
Shënime pornolitike”- përmbledhje satirash, esesh dhe analizash satirike, 1999- botim privat.
“Zëri i Amerikës”- Përmbledhje satirash publicistike (Botimet “Argeta”) 2002.

-Në letërsi:
“Një fjalë”- Vëllim poetik,- 1978
“Nuk ndahem dot”- vëllim poetik, 1984
“Lehja ime nëpër natë”- Novele 1992
“Uzurpatorët”- roman satirik (bashkëautor Jani Duri), 1993
“Horoskopi babilonas”- Tregim satirik. Fitues i çmimit të parë në Konkursin Botëror të Satirës “Aleko” për vitin 2002, në Svishtov të Bullgarisë si dhe titulli “Mjeshtër i madh i satirës”, lëshuar nga Shoqata e Satiristëve të Ballkanit.
“Sekretet”- skenar për film artistik me metrazh të gjatë (Fitues i Konkursit Kombëtar të skenareve), realizuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›