E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqyrtohet sot modeli i regjistrimit të fondeve që partitë do të perdorin

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shqyrtojë sot modelin e regjistrimit të fondeve që subjektet zgjedhore do të përdorin gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit. Gjithçka përfshihet në projektvendimin “Për miratimin e modelit të regjistrit të posaçëm që duhet të përdorin subjektet zgjedhore, për regjistrimin e fondeve të përfituara për fushatën zgjedhore, si dhe modelin e deklaratës që duhet të nënshkruajnë dhuruesit në çastin e dhurimit. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, të miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ dhe është e detyrueshme për t u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike", thuhet në nenin 90, pika 1, të Kodit Zgjedhor. P/vendimi i KQZ-së lidhet me detyrimin e partive për deklarimin me transparencë të fondeve që subjektet zgjedhore do të shpenzojnë gjatë 30 ditëve të fushatës elektorale. Pak ditë më parë qeveria miratoi vendimin "Për shpërndarjen e fondit publik prej 65 milionë lekësh, subjekteve zgjedhore në fushatë". Kodi Zgjedhor (neni 87, pika 2) përcakton që “50% e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse”. Referuar Kodit, gjysma e këtij fondi shpërndahet mbi bazën e mandateve parlamentare, që do të thotë se pjesa më e madhe e tij përfitohet nga PD dhe PS. Ndërsa 50 % e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në parlament, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse.

Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›