E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “Realizuam një ëndërr. U bashkuam”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Inaugurimi

Rrëzohet muri që ndan Shqipërinë me Kosovën. Kryeministri Berisha shemb murin e fundit në tunelin që lidh Thirrën me Kalimashin, pjesë e autostradës Durrës- Kukës- Morinë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas inaugurimit tha se, “Realizuam një ëndërr. U bashkuam”. Ndërsa homologu i tij Sali Berisha tha se “Tuneli i kushtueshëm, por më i lartë çmimi i bashkimit dhe shërbimit që i bën qytetarëve”. Kryeministri Berisha, së bashku me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, Ministrin e Punëve Publike, Transporteve dhe telekomunikacionit Sokol Olldashi, Ministren e Integrimit Majlinda Bregu, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe drejtues vendorë mori pjesë në inaugurimin e tunelit Thirrë-Kalimash, një pjesë e rëndësishme e segmentit Rrëshen- Kalimash, në rrugën Durrës-Kukës. Nga pala Kosovare të pranishëm kanë qënë Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, Ministri i Transporteve Fatmir Limaj, anëtarë të qeverisë, e deputetë të parlamentit të Kosovës. Pasi përshkuan tunelin, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në prani të qindra qytetarëve vendas dhe atyre të ardhur nga Kosova. Duke e vlerësuar tunelin e Kalimashit si një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Europë e më gjerë Berisha tha se tuneli bashkon jo vetëm shqiptarët por dhe rajonin.
Berisha
Gjatë fjalës së tij kryeministri pranoi se hapja e tunelit ka qenë e vështirë dhe e kushtetueshme , por “çmimi i tij është qindra herë më i vogël se vlera morale, se bashkimi që sjell mes njerëzve, dhe shërbimi që i bën qytetarëve, por edhe dalja në det që i jep Kosovës, por dhe fqinjëve të saj.” Kreu i qeverisë Berisha ndër të tjera në fjalën e tij tha se: “ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptareve, përjetuam shembjen, jo të një muri , por të një mali, përjetuam shembjen, jo të një muri, por të pamundësisë. Inauguruam së bashku një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjere. Ky tunel para së gjithash është tuneli i bashkimit të kombit. Ne vendosëm se nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndaje, jo vetëm shpirtërisht por as fizikisht këtë komb. Inauguruam tunelin, i cili do të bëjë që brigjet e Shqipërisë, portet e saj, tu shërbejnë jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por tu shërbejë të gjitha kombeve te rajonit. Në të vërtetë tuneli mund të kishte shumë emra. Miku im Sharik Tara me thotë mbrëmë në darkë, se ky tunel është tuneli i miqësisë. Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur siç jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj dhe ky tunel kushton shumë më pak, se sa koha e kalimtarëve nëpër të, në një vit të vetëm. Tuneli ka qenë i vështirë dhe i kushtueshëm, por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale, se bashkimi që sjell midis njerëzve, se shërbimi që iu bën njerëzve dhe qytetarëve, si dhe dalja në det që i jep Kosovës, dalja në det që i jep jo vetëm Kosovës, por dhe fqinjëve të saj. Unë do ta mbyll fjalën time me një zotim, se pas këtij tuneli dhe këtij korridori qeveria ime nuk do të lerë mal pa shembur, nuk do të lerë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptareve tua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës”, tha Berisha.
Thaçi
Më pas e mori fjalën kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili ndër të tjera tha se: “është një ditë madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Është një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet, kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, në borë dhe në acar, e bëmë këtë rrugë, në këmbë, për lirinë e vendit. Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra tjetrës dhe do të afrohen dhe më tepër. Pa dyshim, një element qendror i kësaj afërsie shpirtërore, fizike dhe materiale është liria dhe pavarësia e Kosovës, vetë shteti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës i jep kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit, është vetë kuptimi i autostradës. Kjo rrugë është dalja e Kosovës në det. Gjithmonë kemi punuar për tu afruar, gjithmonë kemi sakrifikuar për tu afruar dhe ja, erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria në NATO dhe sot ndërtojmë autostrada. Dhe unë e di, siç e dini të gjithë ju se kurrë më, të rinjtë tanë, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës nuk do të ecin më në këmbë, nëpër baltë, fshehurazi dhe me tmerrin e frikës, për të bërë këtë rrugëtim të lirisë dhe zhvillimit të vendeve tona. Na ka ndarë historia, na ka ndarë padrejtësia. Na ndanin bjeshkët, malet e thepisura, dhe muret. Prandaj, i nderuari zoti Sali Berisha, Ju përgëzoj në emër të Kosovës, popullit të saj, për këtë punë kolosale, për këtë kryevepër, ju përgëzoj ju personalisht, qeverinë tuaj dhe popullin shqiptar. Përveç dëshirave, ëndrrës për integrim kombëtar dhe euroatlantik, kjo rrugë do të mbartë ide, mallra, rritje ekonomike për të dy vendet tona. Kjo rrugë do ti japë shtytje zhvillimeve të shumanshme të dy vendeve tona. Si kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, zotohem se për një kohë shumë të shkurtër, kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vermicë, Prizren, dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Bashkërisht kemi thyer perandori e pushtues, e do të thyejmë edhe male e bjeshkë që na dalin përpara. Kjo është autostrada e shpresës, e besimit, e punës dhe e zhvillimit të shqiptarëve. Kjo është historia jonë. Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, rruga e shekullit te ri. Kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”, tha kreu i qeverisë Hashim Thaçi.

Reagimi

PS :“ Qeveria abuzoi me shpenzimet për Durrës-Kukës”

PS ka denoncuar edhe njëherë abuzimet me shpenzimet për projektin e madh infrastrukturor Durrës-Kukës. Në ditën e inaugurimit të tunelit të Kalimashit, Besnik Baraj deklaroi se me shpenzimet e shumëfishuara të projektit, mund të ishin ndërtuar 1450 shkolla të reja dhe 145 spitale moderne, për t i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë. “Berisha në vend që të përdorte paratë e taksapaguesve shqiptar për të edukuar brezin e ri të fëmijëve tanë, u kujdes edhe një herë tjetër për të pasuruar familjen dhe miqtë e tij të afërm”, u shpreh Baraj. Përmes një deklarate për mediat, Besnik Baraj deklaroi se shpenzimet për këtë projekt janë shumëfishuar dhe taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë një vlerë ekstra prej 600 milion eurosh. Duke theksuar se kjo vlerë mbetet ende e pajustifikuar dhe pa shpjegueshme, Baraj ka përmenduar edhe faktin se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar një abuzim prej 232 milion eurosh në rrugën Durrës-Kukës.
“Me këto para ekstra, mund të ishin ndërtuar 1450 shkolla të reja, dhe 145 spitale moderne, për t i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë. Por Berisha dështoi dhe në vend që të përdorte paratë e taksapaguesve shqiptar për të edukuar brezin e ri të fëmijëve tanë, ai u kujdes edhe një herë tjetër për të pasuruar familjen dhe miqtë e tij të afërm”, tha Baraj. Ndër të tjera Baraj shtoi se ndryshimi midis Ramës dhe Berishës është se kryeministri vendos interesin e fëmijëve të tij përpara interesit të shqiptarëve, ndërsa Rama kujdeset që Shqipëria të jetë e gjithë shqiptarëve.
Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›