Nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Muradi - mesazh për pavarësinë e Kosovës
Nobelisti i shquar, babai i të cilit emigroi nga trojet shqiptare që sot janë pjesë e Maqedonisë, shpjegon vonesën e pavarësisë së Kosovës me ndodhjen pranë rrugëve tregtare ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. "Pozicioni i Kosovës,- shkruan ai,- ishte një pjesë kaq e rëndësishme e Europës Lindore saqë ka kaluar në një pushtim në tjetrin për shekuj me radhë".
Mjeku dhe farmakologu i shquar që zbuloi se nitroglicerina mund të zgjerojë diametrin e damarëve të gjakut, zbulim i cili u ka shpëtuar dhe zgjatur jetën qindra-miliona njerëzve në botë, ka edhe disa këshilla për ta bërë jetëgjatë lirinë dhe stabilitetin politik në Kosovë.
Sipas tij, kyç është vështrimi nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Konfliktet duhen lënë pas, fqinjëve u duhet zgjatur dora dhe respekti e bashkëpunimi duhet të jenë fryma udhëheqëse. "Bashkëpunimet në arsim, kërkime shkencore, shëndetësi dhe tregti vetëm forcim do u sjellin kombeve të Ballkanit",- këshillon shkencëtari duke premtuar se kjo prirje do të përmirësojë cilësinë e jetës dhe gjendjen ekonomike të kosovarëve.
Ndonëse asnjëherë nuk ka lënë rast pa përmendur prejardhjen e tij shqiptare, përfshi këtu edhe momentin e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1998, Ferid Muradi në letrën për Kosovën preferon të ndalet tek martesat e përziera në familjen e tij dhe te përvoja e suksesit të Shteteve të Bashkuara. Kosovës, e cila ka një test të vështirë me pakicën e saj trazuese serbe, doktori i shquar i kujton se shembulli i Amerikës tregon që bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mes njerëzve nga kombe, fe e gjuhë të ndryshme mund të zbërthejë energji të jashtëzakonshme. Ai nënvizon se edhe Amerika dikur ka qenë e ndarë nga konflikte e urrejtje, që sot me sukses janë lënë pas.
Ferid Muradi përmend martesën e babait të tij, një shqiptar mysliman me nënën amerikane, të krishterë baptiste, si dhe martesat mikse të fëmijëve të tij, për të dhënë një shembull të "mozaikut heterogjen gjenetik të Shteteve të Bashkuara", ku vlera e vërtetë njeriut qëndron mbi çdo parakusht.
Nobelisti i vetëm ende i gjallë shqiptar, shkruan se kosovarët kanë të drejtë që të jenë krenarë e entuziastë, se kanë fituar më së fundi pavarësinë e lirinë dhe kanë marrë në duar fatin e tyre. Tani ata kanë përgjegjësinë që t'i tregojnë botës "se dinë të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre, arsimin, shëndetësinë dhe prodhueshmërinë ekonomike për vete dhe për të tjerët. Është koha për të falur, për të bashkëpunuar me të tjerët dhe për të çuar përpara kombin dhe shoqërinë e tyre të re", shkruan ai në fund të letrës.