E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët dhe nxënësit ngrohen me frymë, kaldajat s‘punojnë

Fëmijët në kopshte, nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe ata të të mesmeve të kryeqytetit edhe këtë vit u duhet të ngrohen me frymë, pasi drita nuk ka, ngrohje nuk ka. Në shkollat dhe kopshtet në Tiranë ka mbipopullim të klasave dhe grupeve, sepse ngrohja nga fryma e njëri-tjetrit duket se është mënyra e vetme për t‘i shpëtuar të ftohtit të këtij dimri. Ato nuk kanë fonde me të cilat të sigurojnë ngrohjen me kaldajë. Në më të shumtën e tyre nuk ka fare sistem kaldaje, ndërkohë që Bashkia e Tiranës pretendon se u ka dhënë fonde njësive bashkiake për të mbuluar shpenzimet e sistemeve të ngrohjes. Në 22 nëntor të këtij viti "Fiks Fare" denoncoi pikërisht mosfunksionimin e sistemit të ngrohjes në shkollat dhe kopshtet e kryeqytetit. Tri javë më parë, zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës deklaroi se ngrohja e shkollave dhe e kopshteve tashmë është përgjegjësi e njësive bashkiake, pasi bashkia ua ka shpërndarë fondet. Menduam se me shpërndarjen e fondeve dhe me fillimin e dimrit do të fillonte edhe ngrohja. Menduam se ishte gjetur zgjidhja për shkollat dhe kopshtet, kur ka ndërprerje të energjisë elektrike. Në bashki na thanë se ky problem është zgjidhur me sistem ngrohjeje. Shkuam në çdo njësi bashkiake të kryeqytetit. Çfarë mësuam? Në Tiranë, kryeqytetin tonë, shkollat dhe kopshtet që kanë sistem ngrohjeje, pra kaldajë, numërohen me gishta. Madje, ka njësi bashkiake, ku nuk ka as shkolla dhe as kopshte me kaldajë. Sipas Kalosh Ferhatit, përgjegjës i sektorit ekonomik në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, aktualisht janë 15 shkolla me sistem ngrohjeje, ndërsa të tjerat nuk e kanë këtë sistem. Asnjë nga kaldajat nuk është vënë në punë. Për funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre përgjigjet Bashkia e Tiranës. Këtë na e vërtetuan edhe kryetarët e njësive bashkiake, të cilët janë të pafuqishëm për të ndezur kaldajat, sepse edhe në rastet kur ato ekzistojnë nuk kanë fonde për karburant, ose janë të prishura dhe nuk funksionojnë. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 3 Ilir Kokona pohoi se nga katër kopshte dhe pesë shkolla që ka kjo njësi, vetëm kopshti Nr. 29 ka kaldajë. Ndërsa, dy shkolla, "Çajupi" dhe "Kongresi i Lushnjës", që kishin sistem ngrohjeje, u janë prishur kaldajat. Në gjimnazin "Partizani", nxënësit bëjnë mësim me xhupa veshur dhe të mbështjellë me shall. Në një klasë, nxënësit mblodhën nga 500 lekë secili dhe blenë një kondicioner, por që nuk guxojnë ta venë në punë edhe në ato pak orë që ka drita, sepse rregullorja e shkollës nuk e lejon. Drejtoresha e kësaj shkolle na pohon që ky gjimnaz ka një kaldajë, e cila nuk mbahet mend sesa kohë ka që nuk funksionon. Kryetarja e njësisë bashkiake nr 1, Lindita Nikolla, tregon se vetëm shkolla "Ali Demi", mes pesë shkolla dhe katër kopshteve që numërohen në këtë njësi ka kaldajë. Por, që kjo të funksionojë duhet që njësia bashkiake të sigurojë fondet për shpenzimet e karburantit. Në njësisë bashkiake nr. 4, vetëm tri shkolla kanë sistem ngrohjeje. "Bashkia e Tiranës nuk na ka dhënë fonde të mjaftueshme. Ne një pjesë të fondeve i kemi plotësuar nga të ardhurat tona dhe në muajin tetor bashkisë i kemi bërë një kërkesë për shtesë fondi dhe akoma nuk na është miratuar", deklaroi shefja e financës së kësaj njësie, Gjyliziana Dema. Pas gjithë këtyre deklaratave shkuam përsëri në Bashkinë e Tiranës. Por atje, askush nuk guxoi të na kthente një përgjigje se përse nuk ka fonde të mjaftueshme për të siguruar ngrohjen në shkollat dhe kopshtet shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›