Roma akuzon "kupolën zikaltër"
Futbolli italian asnjëherë nuk duket i destinuar të gjejë qetësi: temë e nxehtë mbeten gjithmonë gjyqtarët, që dashje pa dashje ndikojnë në rezultatin e ndeshjeve. Përpara pak kohëve gishti drejtohej nga Juventusi, ndërsa tashmë që "Triada" është shkrirë dhe klubi bardhezi ka pastruar imazhin, akuzohet shfaqja e një tjetër sistemi: atij të Interit. Akuzat vijnë nga Roma, më saktësisht nga e përditshmja e kryeqytetit italian "Il Romanista", që duke marrë shkas nga penalltia e kontestuar në takimin e zikaltërve me Torinon, ka paraqitur dosjen me favorizimet që i janë bërë skuadrës së Mançinit. Ai i së dielës ishte gabimi i shtatë arbitrar që ka favorizuar Interin në 15 javët e para të kampionatit: mes ndeshjeve nën akuzë figurojnë edhe barazimi 1-1 me Juventusin dhe fitorja 3-0 me Lacion, ndërkohë që në takime të tjera janë shënuar gola të nisur nga aksione të parregullt, ose nuk janë akorduar penallti kundër kryesuesve të kampionatit.