Murinjo tërhiqet nga gara për stolin e Anglisë
Hoze Murinjo është tërhequr nga gara për të marrë drejtimin e kombëtares angleze, ku do të zëvendësonte Stiv Meklarenin. Ish-trajneri i Çelsit ka thënë se puna me skuadrën do të kishte qenë "fantastike", por në fund ai vendosi të mos ishte më në listën e kandidatëve "pasi e ka menduar seriozisht situatën". Prej kohësh përflitej se portugezi preferonte të punonte në një nga klubet e mëdha dhe tërheqja e tij nga gara ka bërë që alternativat për Federatën Angleze të mbeten Fabio Kapelo, Marçelo Lipi, Martin O‘Nill dhe Jurgen Klinsman. Murinjo ishte favoriti kryesor për të fituar punën dhe pak kohë më parë ai kishte biseduar me shefin ekzekutiv të FA-së, Brajan Baruik dhe Sër Trevor Broking. Gjithmonë ka pasur dyshime nëse 44-vjeçari do të merrte drejtimin e "Tre Luanëve", por më në fund trajneri konfirmoi synimin e tij. Në një deklaratë Murinjo thoshte: "Pasi Meklaren u largua nga drejtimi i Anglisë, menaxheri im mbajti kontakte me drejtuesit e federatës. Kam zhvilluar biseda të dobishme me ta dhe kemi shkëmbyer ide rreth të gjithë situatës që po kalon skuadra, madje vendosëm edhe kushtet nëse në të ardhmen do të fillonin bisedimet. Gjithsesi, pasi kam reflektuar gjatë vendosa të tërhiqem nga gara për postin në stolin e Anglisë, pavarësisht se e shoh këtë detyrë si diçka fantastike. Jam i sigurt se federata do të punësojë një trajner të shkëlqyer, dikë që të jetë i aftë për ta kthyer ekipin atje ku e meriton. Kam shumë respekt për futbollin anglez dhe pas tre vjetësh pune aty mendoj se shumë shpejt kombëtarja do të marrë rezultate të shkëlqyera". Murinjo ishte kandidati që i plotësonte të gjitha kushtet: trajner i nivelit botëror, e njihte lojën e Anglisë dhe e fliste gjuhën rrjedhshëm. Tashmë në garë kanë mbetur dy italianët Kapelo e Lipi, gjermani Klinsman (të tre janë shprehur të interesuar për punën) dhe O‘Nill.