E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e Fenerbaçes: Fanella e 100-vjetorit të Interit fyen myslimanët

"UEFA duhet të ‘fshijë‘ fitoren e Interit me Fenerbaçen në Ligën e Kampioneve". Kjo është kërkesa e pazakontë e Barish Kaska, një avokat turk, ekspert i së drejtës evropiane dhe tifoz i skuadrës nga Stambolli. Por më e pazakontë është arsyeja e dhënë. "Duke ndjekur ndeshjen në ‘San Siro‘ jam shqetësuar pa masë dhe kam ndjerë një dhimbje të tmerrshme në shpirt", vazhdonte deklarata në të përditshmen spanjollë "La Vanguardia". Shkaku nuk ishin golat e Ibrahimoviç, Kruz dhe Himenez, në fakt futbolli i luajtur nuk ka aspak lidhje me këtë histori. Problemi qëndron te fanella me të cilën ka luajtur Interi, me fushë të bardhë dhe me një kryq të madh të kuq: ajo i ka kujtuar tifozëve turq uniformat e kavalierëve të Kryqëzatës së Parë, të cilët pushtuan Jerusalemin pas betejave të gjata me myslimanët. "Ai kryq më ka kujtuar ditët e përgjakura të së kaluarës", theksoi Kaska. Avokati nuk ka humbur kohë dhe i kërkoi një gjykatësi lokal anulimin e 3 pikëve të fituara nga Interi, pasi italianët "treguan në formë eksplicite superioritetin racist të një feje". Sipas gazetës, gjykatësi nga ana e tij e ka dërguar ankesën në komisionet disiplinore të UEFA-s dhe FIFA-s. Gjithsesi, çështja nuk i rrezikon kampionët e Italisë, pasi fanellat që klubet përdorin në Ligën e Kampioneve aprovohen që në fillim të edicionit nga UEFA. Madje, zyrat e Nionit njoftohen për fanellën me të cilën përfaqësohen skuadrat përpara çdo ndeshjeje. Në takimin e parë që është luajtur në Stamboll, problemi i fanellës që rastis me 100-vjetorin e formimit të Interit dihej, dhe për këtë arsye skuadra e Mançinit luajti me ngjyrat zikaltër. Ndërkohë që për takimin në Milano, as UEFA dhe as drejtuesit e Fenerbaçes nuk kishin shkaktuar probleme për fanellën me kryq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›