"Pas humbjeve, të gjithë u vërsulen gjyqtarëve"
Pas kontestimeve të Vllaznisë ndaj gjyqtarëve në Kategorinë Superiore, shefi i garave në FSHF, Ilir Shulku, ka dalë përkrah "bilbilave". Në fakt në qëndrimin e tij, përgjegjësi për mbarëvajtjen e kampionatit, ka deklaruar se në vendin tonë është mjaft i përhapur fenomeni i akuzimit të gjyqtarëve, sa herë që një skuadër nuk arrin të fitojë. "Jam njohur me akuzat e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj ndaj gjyqtarëve dhe mendoj se ato janë tërësisht të pavërteta", deklaroi Shulku. "Kontestimi i gjyqtarëve në vendin tonë është një histori e vjetër, pasi sa herë që një ekip nuk fiton, të gjithë i vërsulen gjyqtarit, duke e etiketuar si e keqja e futbollit". Shulku ka vazhduar edhe më tej, duke e cilësuar këtë si "pjesë të mentalitetit shqiptar". Në fjalën e tij, Fushaj, ka folur edhe rreth kanunit, duke e cilësuar si një mundësi për të mbrojtur nderin e klubit. "Në qoftë se përdorimi i kanunit mendohet si një mundësi për të mbrojtur nderin e klubit, z.Fushaj mund të veprojë si të dojë, por e përsëris që ky është një problem karakteristik për vendin tonë, pasi mendoj se në takimin e fundit me Partizanin, në rastin konkret gjyqtari Jareci ka bërë një punë mjaft të mirë". Shefi i garave është shprehur i çuditur rreth faktit se akuzat e klubeve bëhen vetëm në media, ndërkohë që në federatë nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare me shkrim.