E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kahn: Nuk jemi Marseja dhe Fiorentina!

Paraqitjet e dobëta të Bajernit të Mynihut gjatë kësaj pjese të sezonit kanë bërë që në skuadër të shpërthejnë polemikat mes lojtarëve. Ka qenë portieri Oliver Kahn ai që ka sulmuar ashpër futbollistët e rinj, duke kërkuar që ata të impenjohen më shumë dhe të mos tallen me fanellën e bavarezëve. Në fakt, Bajerni ka siguruar vetëm 9 pikë nga 18 të mundshme që nga fundi i tetorit dhe pavarësisht faktit se gjendet i vetëm në kreun e klasifikimit, mund të kalohet nga skuadrat e tjera që janë vënë në ndjekje, duke shfrytëzuar këtë moment të dobët. Akuzat e Kahn dukeshin qartë që u ishin drejtuar blerjeve të reja të ekipit, më saktësisht mesfushorit francez Frenk Riberi dhe sulmuesit italian Luka Toni, ndonëse nuk i ka përmendur asnjëherë me emra. "Blerjet e reja duhet të mësohen me nivelet e paraqitjeve që kërkohen këtu te Bajerni i Mynihut. Nuk na lejohet që të fillojmë mirë dhe më pas të lëshojmë në lojë. Këtu duhet mbajtur një nivel konstant paraqitjesh gjatë të gjithë sezonit. Sidomos një apo dy lojtarë mes këtyre blerjeve të reja duhet të kuptojnë se nuk mund të luhet mirë vetëm në dy apo tre ndeshje. Bajerni i Mynihut nuk është as Marseja dhe as Fiorentina, por është si Milani, Mançester Junajtid, Reali i Madridit apo Barcelona", ishte deklarata thumbuese e Kahn ndaj shokëve të skuadrës. Duket qartë që bavarezët nuk po kalojnë një moment të mirë dhe tashmë të gjithë kanë filluar t‘i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit për këto paraqitje zhgënjyese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›