E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët, një orë mësimi "dialog" me HIV/AIDS

"Jeta nuk është gjithmonë e bukur", thotë mësuesja e biologjisë në një orë mësimi. Ndërsa e ftuara e saj e "përgënjeshtron", menjëherë këtë deklaratë. "Jeta është gjithmonë e bukur", thotë pacientja, e cila prej disa vitesh trajtohet për HIV/AIDS. Në një orë biologjie gjimnazistët kanë dalë jashtë programit mësimor, duke marrë kështu një leksion më të veçantë, në ditën e parë të javës. Kjo orë mësimi është e organizuar ndryshe, ndoshta i ngjason më shumë një bisede mes miqsh. Në orën e biologjisë, në shkollën "Andon Zako Çajupi", dje, maturantët dhe vitet e treta së bashku me përfaqësuesit senatit të shkollës, kanë pasur të ftuar një paciente, e cila më shumë se emisionet në televizor, më shumë se "predikimet" e mësuesve dhe të prindërve u ka dhënë nxënësve mesazhe vërtet të vlefshme. Jo vetëm për një orë mësimi, por për të gjithë jetën. Atë boshllëk që kanë lënë programet mësimore në klasën e 7-të, i ka mbushur historia personale e një gruaje, e cila pa asnjë kompleks u është përgjigjur të gjitha pyetjeve, që kanë pasur nxënësit dhe njëkohësisht ka shprehur të gjitha problemet, që ndesh kjo kategori çdo ditë në realitetin shqiptar. "Nuk ka njerëz të rrezikshëm, por sjellje të rrezikshme. Askush nuk duhet të ketë paragjykime, sepse HIV/AIDS tanimë nuk vjen më vetëm nga emigracioni", ka thënë e ftuara.

Ajo u ka treguar nxënësve se ka një listë pasaktësish lidhur me infektimin nga kjo sëmundje. Vërtet sëmundja mund të merret me transmetimin e gjakut, por duhen të paktën 300 miligramë gjak për të marrë virusin. Nuk mund të ketë infektim me HIV vetëm me një pikë gjak, e nuk mund të diskriminohen fëmijët, që janë të prekur nga ky virus e mos të lejohen të ndjekin shkollën.

"Çdo grua që mendon të bëhet nënë duhet të bëjë një kontroll para se të vendosë të nisë shtatzëninë, pasi mund të sjellë në jetë një fëmijë, i cili mund të jetë i prekur nga HIV/AIDS nga transmetimi i sëmundjes nga nëna te fëmija", tregoi pacientja. Sipas saj, nëse arrihet që sëmundja të kapet në kohën e duhur, i sëmuri ka premisa për të jetuar gjatë, duke nisur nga 25 vjet e më shumë, e kundërta ndodh nëse sëmundja paraqitet në stade të avancuara. Gruaja, e cila dje, ka qenë dëshmitare para më shumë se 100 nxënësve ka treguar se pavarësisht problemeve të saj shëndetësore, sëmundja apo stigmatizimi, diskriminimi i komunitetit çdo ditë, nuk e ka penguar të jetojë jetën e saj dhe s‘e ka penguar që të mendojë se jeta është e bukur. "Secili duhet të gjejë forcën për të ecur përpara dhe të vazhdojë jetën, ndërsa po punojmë që të drejtat e pacientëve të jenë të mbrojtura me ligj dhe pacientët me HIV/AIDS të kenë lehtësira, të cilat janë të domosdoshme", sqaroi e ftuara. Ajo tashmë është shembulli i të gjitha familjeve që kanë mes tyre një pacient të sëmurë. Është e ftuara më e dobishme që kanë pasur më shumë se 100 nxënës dhe është një nga avokatet mbrojtëse për të gjithë ata persona, të cilët çdo ditë në çdo kohë paragjykohen për problemin e tyre. HIV/AIDS nuk merret as nga pjata e bukës e as nga luga e çajit. Por, për të kuptuar këtë, duhet që çdo qytetar të jetë i sensibilizuar, çdo qytetar të ketë informacionin duhur, për të përmbushur kulturën e tij shëndetësore dhe për t‘iu përgjigjur saktësisht edhe fëmijëve që ka në shtëpi. "Ka qenë me të vërtetë shumë interesant dhe i vlefshëm bashkëbisedimi që nxënësit kanë bërë me pacienten. Ata kanë shprehur dëshirën e tyre për një takim të tillë, dhe kanë qenë shumë të interesuar jo vetëm për të zgjeruar informacionin tyre, por të qenë në gjendje të sensibilizojnë edhe më të rriturit, edhe prindërit e tyre lidhur me sjelljet që duhet të kenë me pacientët me HIV/AIDS", sqaroi mësuesja e biologjisë, Inajete Kasimati. Sipas saj, programet mësimore duhet të jenë më të zgjedhura dhe nxënësit duhet të kenë gjithmonë e më shumë informacione më të zgjedhura lidhur me fenomene të tilla. Një orë e tillë mësimi ka qenë nga më të preferuarat për gjimnazistët, të cilët edhe një herë tjetër, treguan pjekuri edhe më shumë se prindërit e tyre...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›