Mbërrin në Shqipëri fondacioni "Graamen" për të varfrit
Përfaqësues të fondacionit "Graamen", i cili njihet si banka për më të varfrit e botës, mbërritën dje në Shqipëri dhe filluan shqyrtimin e mundësive për të filluar aktivitete në Shqipëri. Përfaqësuesi i fondacionit, Hans Heitz, u takua me Kryeministrin Sali Berisha.
"Gjatë takimit u diskutua mbi mekanizmat që mund të ngrihen në Shqipëri për ofrimin e instrumenteve të mikrokredisë, shtresave te varfra të shoqërisë, si dhe mbi krijimin e "joint ventures" me natyrë sociale, ku bizneset e mëdha të mund të kontribuojnë në një zhvillim social sa më të qëndrueshëm", njoftoi zyra e shtypit e Kryeministrit. Fondacioni "Graamen" është themeluar në Bangladesh nga profesor Mohammed Yunus, i cili fitoi edhe çmimin "Nobel" në ekonomi për punën e tij në lehtësimin e varfërisë. Yunus filloi t‘u jepte kredi të varfërve të Bangladeshit në vitet ‘70, duke i ndihmuar të fillonin biznese fare të vogla, apo të blinin farë për të mbjellë tokën. Pas viteve ‘90, ky lloj aktiviteti kreditues u bë simbol i përpjekjeve të botës për të luftuar varfërinë dhe një shembull i ofruar nga një vend i varfër si Bangladeshi për zgjidhjen e problemeve të qytetërimit botëror të sotëm.