Fëmijët e Poliçanit, në prokurori ish-ministri i Punës
Prokuroria e Rrethit të Beratit ka thirrur sot për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me çështjen e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar të Poliçanit ish-ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka. Barka ka qenë i thirrur nga prokuroria në lidhje me hetimet që ky organ ka shtrirë deri në këtë ministri, e cila në atë kohë është drejtuar nga Barka në lidhje me fondet e akorduara për qendrën e fëmijëve të ngujuar dhe administrimin e tyre. Ish-kreu i ministrisë ka mbërritur sot në Prokurorinë e Beratit rreth orës 10:30 ku dhe ka qëndruar për katër orë me radhë dhe pyetur nga hetuesi i çështjes që po heton rreth aktivitetit të qendrës së fëmijëve të ngujuar në Poliçan. Ka qenë hetuesi i çështjes, Bledar Velikaj, i cili i ka kërkuar ish-ministrit shpjegime në cilësinë e dëshmitarit për qëllime hetimesh për sasinë e fondeve që kjo ministri ka akorduar për këtë qendër dhe kohën e akordimit të tyre. Sipas burimeve brenda organit të akuzës, ish-ministri është pyetur rreth mënyrës së funksionit të kësaj qendre, fondeve të akorduara për të, mënyrën e thithjes së tyre etj. Kosta Barka duke dalë nga organi i Prokurorisë Berat ka pohuar për çështjen se, "ka një prapavijë politike që ushqehet me atavizma".