Itali: 80% e bizneseve shqiptare, me ndërtim
Pronarët shqiptarë që kanë biznese në Itali preferojnë të operojnë më tepër në sektorin e ndërtimit. Një institut statistikash (Fondacioni "Ethnoland") publikoi këto ditë të dhënat që lidhen me numrin e bizneseve në Itali që drejtohen nga të huajt. Në total, deri në qershor 2008, janë rreth 165.114 emigrantë drejtues biznesi në Itali. Në krahasim me vitin 2003, numri i sipërmarrësve të huaj emigrantë është trefishuar. Që nga viti 2000, janë krijuar 140 mijë biznese, mesatarisht 20 mijë çdo vit, kurse numri i të punësuarve arrin në 500 mijë. Afërsisht numri i shqiptarëve me dokumente të rregullta në Itali arrin në rreth 430 mijë, shifër tepër e lartë në krahasim me vendet e tjera jashtë BE-së. Numri i bizneseve që drejtohet nga shqiptarët ka pësuar një rritje me rreth 43 për qind, duke treguar edhe një herë integrimin e këtij komunitetit në vendin e Apenineve. Nga të dhënat mësohet se afro 80 për qind e bizneseve shqiptare preferojnë sektorin e ndërtimit, kurse 67 për qind e marokenëve preferon tregtinë. Pjesa më e madhe e bizneseve me pronar emigrantët legalë është e përqendruar në veri të Italisë (Lombardia). Industria është sektori më i preferuar, me rreth 83 mijë biznese, kurse 65 mijë operojnë në ndërtim. Milano është qyteti me numrin më të madh, me rreth 17 mijë sipërmarrës emigrantë të huaj.