Meta: Kriza po thellohet, Berisha dhe Bode të ndërhyjnë
Për të dytën ditë radhazi, Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje qeverisë që të marrë masat e menjëhershme, në mënyrë që pasojat të mos prekin popullatën. Pas prezantimit të strategjisë për të frenuar krizën, LSI kërkon nga Kuvendi një seancë të posaçme për të diskutuar rreth krizës ekonomike. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, doli dje para mediave për t‘i bërë thirrje Kryeministrit Berisha dhe ministrit Bode, që të mos rrinë indiferent para kësaj krize të madhe. "Është momenti që Berisha dhe Bode të reagojnë sot për krizën dhe të heqin dorë nga qëndrimet e tyre megalomane dhe kokëforte se nuk ka krizë, sepse Shqipëria e pësoi njëherë nga çifti Berisha-Bode në kohën e piramidave, kur garantonin shqiptarët se paratë e tyre ishin të sigurta", tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, pavarësisht nga përpjekjet e ministrit të Financave për të paraqitur edhe një herë tjetër Shqipërinë si vendin më të suksesshëm në botë lidhur me rritjen ekonomike, "nuk ka demagogji, nuk ka statistika dhe nuk ka mashtrime që të fshehin krizën e rëndë ku përfshihet edhe Shqipëria, jo vetëm për arsye të efekteve të krizës globale, por edhe për arsye thellësisht shqiptare, ku një nga shkaqet kryesore është pikërisht mungesa e përgjegjshmërisë të kësaj qeverie për të njohur krizën dhe për të bërë një transparencë lidhur me angazhimin dhe programin e mundshëm antikrizë". Duke marrë shkas nga qëndrimi i guvernatorit të BSH-së, i cili shprehu pasojat e krizës, Meta tha se, Kryeministri dhe ministri i Financave duhet të mbajnë, në mënyrë të qartë dhe transparente, një qëndrim dhe një vlerësim të tyre për situatën ekonomike në këtë vend. Skenari i LSI-së për të frenuar krizën synon ndër të tjera rritje të pagave dhe pensioneve. Në veçanti, vijoi Meta, bizneset prodhuese të konfeksioneve, të nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, bizneset agropërpunuese, e kështu me radhë, po përjetojnë rënien më të fortë dhe janë në limitet e fundit të mbijetesës, gjë që mund të rezultojë fatale për vendin e punës së dhjetëra mijë shqiptarëve. "Ne kërkojmë në mënyrë të veçantë që programi antikrizë të nxisë kredidhënien, për ato kompani që garantojnë punësim dhe njëkohësisht, produkte për eksport", përfundoi kreu i LSI.