Itali, mbi 18 mijë shqiptarë kanë biznese
Mbi 18 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Itali kanë arritur të krijojnë sipërmarrje të vogla nga 400 mijë shqiptarë që jetojnë në këtë vend, bëhet e ditur nga një studim i shoqatës "Caritas". Numri i shqiptarëve sipërmarrës është dyfishuar në krahasim me vitin 2003, sipas medias italiane. Shqiptarët kanë qenë më të suksesshëm në sipërmarrjet në ndërtim, ku kanë krijuar skuadra të vogla pune në të gjithë Italinë. Në një lajm të javës së kaluar, media italiane raportonte se kjo klasë sipërmarrësish janë më të ekspozuar për të humbur biznesin e vet për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë botën. Megjithëse kanë shpirt të lartë sipërmarrës, shqiptarët në Itali nuk krahasohen dot me marokenët. Sipas raportit, vetëm 4.5% e shqiptarëve janë rritur në nivelin e sipërmarrësit, ndërkohë që një në 13 marokenë ka arritur në të njëjtin status. Marokenët kanë krijuar më së shumti kompani tregtare. Gjithsej 165 mijë emigrantë kanë hapur një kompani në Itali nga 4 milionë të tillë që jetojnë në këtë vend.