E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozicionet e punës për 1618 punonjësit me kontratë

Qeveria ka vendosur të punësojë me kontratë 1618 punonjës, me synim përshpejtimin e disa projekteve prioritare. Gazeta zbulon listën e pozicioneve të punës ku do të rehabilitohen punonjësit e rinj, ku më shumti i shtohet listës së ALUIZNI-it, me 803 persona. Vendimi është marrë një muaj më parë dhe nuk ka efekte shtesë në buxhet, pasi punonjësit që do të merren me kontratë do të përballohen nga vetë fondet e 12 institucioneve, që kanë kërkuar shtesa në staf. Ajo që bie në sy te vendimi i qeverisë lidhet me faktin se bie ndesh me një urdhër të ish-kryeministrit Nano, i cili në janar të vitit 2004 ndaloi në mënyrë kategorike marrjen në punë me kontratë, përveç atyre rasteve emergjente. Pikërisht, këtë hapësirë të vogël të urdhrit, qeveria "Berisha" e ka kthyer në rrugë ligjore për të punësuar individë të ndryshëm, pa iu referuar procedurave të Komisionit të Shërbimit Civil. Të 1618 punonjësit e rinj që do të merren me kontratë, nuk do të përfshihen në procesin e konkursit, pavarësisht pozicionit të punës.

Pozicionet

Kryesisht pozicionet e punës nuk lidhen me detyra të rëndësishme, por me funksione të prapavijës. Kështu, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të marrë me kontratë 803 punonjës, ku tre do të pozicionohen në ministri, kurse të tjerët tek ALUIZNI me detyrën e specialistit. Punonjësit e rinj do të ushtrojnë detyrën e re 8 orë në ditë për 6 muaj rresht, ashtu si tre të parët që do të pozicionohen në ministri, por me pak orë pune. Edhe Ministria e Financave do të marrë me kontratë 49 punonjës të rinj, kryesisht në dogana. Nga këto, rreth 15 do të pozicionohen brenda në ministri, kurse diferenca në degët e ndryshme të doganave (8 në Drejtorinë e Përgjithshme), kryesisht specialistë. Kontrata me shtetin do të zgjasë nga 4 deri në 12 muaj, për një orar pune nga 4 deri në 8 orë. Sa u takon afateve të kontratës, vihet re një rritje në krahasim me periudhat e mëparshme, kur nuk mund të punoje më shumë se dy muaj.

Justifikimi

Sipas Ministrisë së Financave, punonjësit e rinj merren me kontratë për faktin se gjatë ushtrimit të funksionit, disa institucioneve, për shkak të politikave të reja të paparashikuara, u ka dalë nevoja për shtesa në administratë. Po sipas Financave, vetëm INSTAT-it dhe ALUIZNI-it iu është lejuar që punonjësit t‘i marrin me kontratë për një vit, nisur nga specifika e punës, kurse të tjerët nuk e tejkalojnë afatin 6-mujor. "Ndryshe nga viti 2008, për 2009, institucionet kanë paraqitur një numër më të reduktuar kërkesash për të punësuar me kontratë punonjës të rinj", sqaron ministria. Kështu, p.sh, Ministria e Bujqësisë në 2008 mori 356 punonjës me kontratë, kurse në 2009 kërkoi 190, kosto e të cilës shkon në 65 milionë lekë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›