Fëmijët e abuzuar, pafajësi klinikës ABC
TIRANE – Pafajësi për Guy Eshelman, mjekun amerikan të Klinikës “ABC” të akuzuar për “moskallëzim krimi” me pasojë fshehjen e abuzimeve seksuale ndaj disa të miturve. Gjykata e Tiranës vendosi dje deklarimin e pafajshëm të mjekut, që kishte dijeni për dhunën seksuale të ushtruar tek fëmijët e qendrës “Fëmijët e tij” të drejtuar nga britaniku i dënuar tashmë, David Brown. Vendimi u shpall dje nga gjyqtari Martin Deda, i cili ishte gjyqtari kryesues në gjykimin e kësaj dosjeje. Në një seancë të mëparshme prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të amerikanit dhe dënimin e tij me gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve. Dosja në ngarkim të mjekut Eshelman u dërgua në gjykatën e Tiranës në muajin janar të vitit 2009. Ai akuzohej nga organi i akuzës për “moskallëzim krimi”, pasi edhe pse kishte dijeni mbi dhunimin seksual të të miturve nuk e kishte denoncuar atë në organet kompetente. Drejtori i klinikës ABC, Eshelman inkriminoi veten e tij gjatë dëshmisë në procesin gjyqësor në ngarkim të britanikut, David Brown. Ndërsa po dëshmonte, ai pohoi se ishte në dijeni të abuzimeve seksuale, ndërkohë që klinika e tij kishte mohuar këtë në raportet mjekësore të hartuara në lidhje me vizitat e të miturve. Në dëshminë e tij ai pohoi se ekspertizat e të miturve të dhunuar në “Fëmijët e tij” e mbante në një vend ku mund të vepronte vetëm ai personalisht, derisa në maj të vitit 2006 iu sekuestruan nga Prokuroria. Ndërsa pyetjes së gjykatës se përse nuk kishte denoncuar ai i është përgjigjur se do të denonconte në policinë ndërkombëtare. Eshelman u “mpleks” me drejtësinë shqiptare prej çështjes së britanikut David Brown të akuzuar për abuzime seksuale me të miturit, vepër për të cilën u dënua me 20 vjet heqje lirie nga gjykata e Tiranës. Pushimi i akuzës për Eshelman u përfol që në fillimin e procedimit penal ndaj tij nga prokuroria e kryeqytetit. Kjo, për shkak të periudhës 4-vjeçare të kaluar nga konstatimi i dhunës tek të miturit prej punonjësve të klinikës “ABC” dhe deklarimit të saj në gjykatë. Por ndërsa dosja u dërgua për gjykim, dje gjykata vendosi pafajësi për mjekun Eshelman. ar.ba