E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim trafikanti i klandestinëve

 

TIRANE - Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit ka shpallur në kërkim një 37-vjeçar, i cili dyshohet se ka trafikuar drejt Greqisë 3 klandestinë. Ngjarja është zbuluar nga Drejtoria Rajonale e Kufirit të Vlorës dhe është raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Dy ditë më parë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 37-vjeçarin Afrim Emini, banues në Konispol të Sarandës. Sipas burimeve nga policia, mësohet se rreth orës 13:15 të ditës së hënë është gjetur nga policia një makinë tip “Benz” me targë SR 5864 B, e cila dyshohet të jetë në pronësi të Eminit. Automjeti është gjetur i braktisur në aksin rrugor Qafë Botë-Butrint, në vendin e quajtur Manastiri dhe dyshohet se me këtë mjet Afrim Emini ka transportuar drejt Greqisë në mënyrë të jashtëligjshme 3 persona. Sipas burimeve nga policia, mësohet se klandestinët që kanë kaluar ilegalisht kufirin shqiptar me Greqinë, janë njëri nga Durrësi dhe dy të tjerë nga Tirana. Sipas dëshmive të familjarëve të tyre, që tashmë janë marrë në pyetje nga policia, ata kanë paguar nga 1500 euro secili për të shkelur në tokën helene. Emini tashmë është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›