E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e ngujuar, ende s’ka fond për mësimdhënien

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Prej tre vitesh, fëmijët e ngujuar të Shkodrës janë bërë pjesë e një projekti për marrjen e njohurive nëpërmjet programeve mësimore. Tashmë projekti "Shansi i Dytë" ka përfunduar dhe nga ana e Drejtorisë Arsimore nuk saktësohet asgjë nëse do të ketë vazhdimësi në vitin e ri akademik. Janë 52 fëmijë, kryesisht nga zonat rurale, por edhe nga qyteti për të cilët Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende "OK" për fondet përkatëse në mënyrë që ata të mos mbeten analfabetë. Në tre vitet e kaluara Drejtoria Rajonale Arsimore në Shkodër ndoqi këtë proces, mbi bazën e një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas inspektorit të arsimit në këtë drejtori Nexhelko Poja, në këtë shkollim janë përfshirë nxënës nga klasa e parë deri tek e nënta. Ndërsa kontingjenti i mësuesve sipas tij ishte profesional. "Për të zbutur sadopak pasojat e rënda që shoqërojnë fenomenin e gjakmarrjes, e cila prej vitesh ka privuar nga procesi i mësimdhënies me dhjetëra fëmijë, u ndërmor realizimi i projektit "Shansi i Dytë", i cili përfshinte dhënien e njohurive kryesore të programit mësimor për fëmijët që rrinë mbyllur në kullat e ngujimit. Kjo u realizua nëpërmjet aktivizimit të mësuesve në kushte shtëpie, kryesisht për nxënësit e arsimit 9 -vjeçar", u shpreh Poja. Sipas tij, e rëndësishme është, se me përfundimin e procesit mësimor, nxënësve të ngujuar u njihet dëftesa, njësoj si bashkëmoshatarëve të tyre, që ndjekin mësimin në kushte normale. Duke iu referuar shifrave që Drejtoria Arsimore bën publike mësohet se në rrethin e Shkodrës janë 52 fëmijë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Ata janë të moshave nga 6 deri në 14 vjeç. Burime nga Drejtoria Arsimore bënë të ditur se 21 mësues kanë dhënë mësim në 18 banesa, ku ka pasur fëmijë të ngujuar. Ata kanë zhvilluar mësim 3 herë në javë, me nga tri orë në ditë. Brenda këtij afati kohor u realizua që fëmijëve të ngujuar t'iu jepen njohuritë kryesore, në mënyrë që të shmangej prapambetja e tyre në mësime dhe analfabetizmi. Të gjithë mësuesit e aktivizuar për të mësuar fëmijët e familjeve të përfshira në gjakmarrje ishin të sapodiplomuar, por që akoma nuk kishin një vend pune definitive. Banesat e mësuesve ndodheshin pranë vendeve ku kishte fëmijë të ngujuar. Ata janë paguar rregullisht nga shteti në bazë të një fondi të veçantë të ministrisë së Arsimit, fond për të cilin nuk dihet nëse do të lëvrohet për vitet e tjera. Sipas Drejtorisë arsimore, në qytetin e Shkodrës ka katër fëmijë të ngujuar, të cilët kanë zhvilluar mësim në kushtet e shtëpisë. Ndërsa, 48 fëmijë të tjerë rezultojnë të jenë banues në fshatra. Në komunën e Postribës (fshati Domën) mësohet se janë 7 nxënës të një fisi nga klasa e dytë deri në klasë të tetë, të cilët janë të ngujuar. Në komunën e Velipojës janë 6 nxënës, nga klasa e tretë deri në klasë të tetë, në komunën e Bushatit tre nxënës të një familjeje, në komunën Rrethina janë 26 fëmijë. Nga këta, 15 nxënës janë në fshatin Bardhaj, 7 në fshatin Grudë e Re, 2 në fshatin Guci e Re, 2 në fshatin Shtoj i Ri, ndërsa në komunën e Shllakut, 8 nxënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›