E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj e Shirokë, këtë sezon ujë, energji dhe më pak ndotje

 

SHKODER - Këtë sezon turistik, dy pikat turistike, Shiroka dhe Zogaj nuk do të kenë më probleme me ujin e pijshëm, ndotjen apo edhe energjinë elektrike. Kjo do të thotë se këto dy zona do të kenë më shumë turistë në këtë verë. Investimet në Shirokë e Zogaj kanë nisur të bëhen reale, sidomos pasi ato tashmë figurojnë si pjesë të qytetit të Shkodrës. "Ne kemi synuar që të realizohet kjo përfshirje, aq më shumë që kemi të bëjmë me dy zona turistike shumë të bukura, me një rëndësi të veçantë dhe për më tepër, që jemi edhe në sezonin e verës", u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas tij, GTZ Gjermane ka realizuar detyrën e projektimit të zhvillimit Urban për hapësirën Ura e Bunës - Zogaj. Burime nga bashkia bënë të ditur se ka përfunduar investimi prej 15 milionë lekësh për ujësjellësin. "Me këtë investim, Zogaj dhe Shiroka janë pjesë e sistemit të ujësjellësit të Shkodrës. Këtë verë uji i pijshëm nuk do të jetë problem", tha kryebashkiaku Luka, duke shtuar se këto dy zona nuk kishin si të mbetnin jashtë këtij sistemi, derisa janë pjesë e qytetit të Shkodrës. Gjithashtu, kryebashkiaku bëri të ditur se janë bërë investime dhe në fushën e energjetikës, kryesisht në ndriçimin rrugor, i cili ka qenë shqetësim më vete në Zogaj dhe Shirokë. Gjithashtu, për vitin 2009, sipërmarrjet e pastrimit janë të detyruara që të bëjnë edhe pastrimin e plotë të zonës, pasi sipërfaqja është llogaritur në preventivat, të cilat financohen nga Bashkia e Shkodrës. Mbeturinat urbane ishin tepër problematike për ndotjen e bregut të liqenit të Shkodrës, e shqetësim i vazhdueshëm për vetë banorët. Me sa duket, ky sezon i ri ka nisur premtues për dy pikat e njohura turistike në Shkodër. Ndërkohë, është e domosdoshme ndërhyrja emer-gjente për përmirësimin e infrastrukturës, e konkretisht në zgjerimin e rrugës që të çon në këto dy zona.                         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›