E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk shleu dënimin e konvertuar në punë publike, pranga adoleshentit

 

TIRANE - Kapet vjedhësi i mitur, i cili nuk kishte shlyer dënimin për të kryer punë publike në favor të komunitetit. Policia e kryeqytetit pohoi dje me anë të një komunikate zyrtare se nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit u vu në pranga 17-vjeçari Aleksandër Gjonaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga seksioni kundër vjedhjeve të pronës në Komisariatin numër 6 i kryeqytetit. Ndaj tij rëndojnë dy vendime të Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar me burg, pasi e ka gjetur fajtor për veprën penale të "vjedhjes". Kështu sipas vendimit të parë, shpallur në qershor të vitit të kaluar Gjonaj është gjetur fajtor për vjedhjen e disa sendeve në oborrin e banesës së një fqinji të tij. Në këtë rast ky ishte ndihmuar nga vëllai më i vogël dhe një fqinj tjetër i tyre. Por duke u nisur nga fakti se Gjonaj ishte i mitur, i padënuar më parë dhe vjedhja kishte mbetur në tentativë, gjykata e ka dënuar me 6 muaj burg. Duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, këtij dënimi i zbritet një e treta, ndërsa duke zbatuar dispozitat lehtësuese për të miturit gjykata ia ka pezulluar dënimin këtij dhe ia ka konvertuar në 120 orë punë në interes publik. Sipas gjykatës, ai do punonte 3 orë, në tre ditë jave, derisa ta shlyente krejt dënimin. Në momentin e arrestimit, Gjonaj i kishte shpëtuar qelisë nisur nga fakti që ishte i mitur, pranimi i fajësisë dhe disa rrethana të tjera lehtësuese. Gjykata, duke vlerësuar këto fakte, kishte hequr masën e sigurisë dhe kishte vendosur që ai të hetohej në gjendje të lirë. Por ende pa u gjykuar për çështjen e parë, ndërsa hetohej në gjendje të lirë, Gjonaj bie sërish në pranga pasi kapet në flagrancë duke tentuar të vidhte disa sende metalike në punishten e një fqinji tjetër. Pasi e kap, pronari i punishtes njofton policinë, ndërsa pas tre ditësh gjykata e liron sërish të miturin duke vlerësuar rrethanat lehtësuese që i krijonte mosha. Në verë të vitit të kaluar, i mituri Gjonaj merr dënimin tjetër për vjedhje, i cili në zbatim të gjykimit të shkurtuar përfundon në një muaj burgim. Por edhe këtë dënim gjykata e revokon sërish, duke e konvertuar në 80 orë pune në interes publik. Madje për të mos e penguar nga mësimet, edhe ky dënim i është caktuar që ta kryente paraditeve, nga tre orë, tre ditë në javë. Por edhe pas kësaj, ai nuk e ka shlyer dënimin me punë, duke iu shmangur çka ka bërë që ai të kthehej sërish në burg. Dje Gjonaj, i cili ende nuk i ka mbushur 18 vjeç, u dërgua në qeli për të shlyer dënimin.                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›