Plagos me armë kushëririn, kërkohet 42-vjeçari
BURREL - Plagos djalin e xhaxhait për një sherr të dy viteve më parë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Bërshi të Bashkisë së Klosit. Sul Rexhepi ka mbetur i plagosur rëndë me armë zjarri, në vendin e quajtur Kthesa e Cërujës. Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë së Dibrës sqaruan se rreth orës 18:30 të 5 korrikut, mbërriti në spitalin e Burrelit, i plagosur me arme zjarri, 56-vjeçari Rexhepi. Ngjarja e rëndë ka vënë në lëvizje efektivat e policisë, duke zbuluar se autori ishte kushëriri i tij, Rexhep Rexhepi, 42 vjeç. Mjekët e spitalit të Burrelit i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe kanë vendosur dërgimin e tij në Spitalin Ushtarak për një kurim më të specializuar. Zyrtarë të policisë thanë se mbi Rexhep Rexhepin rëndon akuza e veprës penale të "vrasjes se mbetur në tentativë" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Burime të rezervuara policore sqarojnë se objekt i sulmit nuk ka qenë mekaniku 56-vjeçar, por një njeri i afërm, me të cilin kushërinjtë e tij kishin pasur një sherr dy vjet më parë. Të afërm të familjes së autorit të ngjarjes kanë hedhur dyshime për një lidhje jashtëmartesore mes vëllait të të plagosurit dhe gruas së vëllait të autorit të ngjarjes. Policia e Dibrës njoftoi gjithashtu se është bërë arrestimi i shtetasit Hysni Rexhepi, vëllai i të plagosurit Sul Rexhepi, për veprën penale të "armëmbajtës pa leje të armëve luftarake". h.p